Shqipëri, kremtohet Dita e Nevruzit.    /Foto: AA

Në Shqipëri është kremtuar Dita e Nevruzit, ku në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit janë organizuar ceremoni dhe aktivitete të ndryshme, raporton Anadolu.

Ceremonia qendrore është organizuar në selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, me pjesëmarrjen e qytetarëve nga qytete të ndryshme të vendit, përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme dhe klerikëve bektashinj.

Gjatë ceremonisë tradicionale, kryegjyshi botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, përshëndeti të pranishmit, duke përcjellë mesazhet e tij për festën e Nevruzit.

Pjesë e ceremonisë ishte edhe një program artistik me këngë dhe valle shqiptare.

Me rastin e Ditës së Nevruzit, zyrtarë të lartë të Shqipërisë dhe drejtues të institucioneve të ndryshme kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka publikuar një mesazh urimi me rastin e Ditës së Sulltan Nevruzit.

"Në Ditën e Sulltan Nevruzit, uroj të gjithë besimtarët bektashinj: mbarësi, mirëqenie, dashuri dhe paqe. Ëmbëlsia e kësaj feste të fisnikërisë e ringjalljes bektashiane le të shpërndahet e përshkojë jetët e vatrat familjare të gjithë shqiptarëve që kremtojnë këtë ditë të shënuar", thuhet në mesazhin e kryeparlamentares Nikolla, publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë.

Një mesazh urimi me rastin e Ditës së Nevruzit në rrjetet sociale ka publikuar edhe kryeministri Edi Rama.

Dita e Nevruzit në Shqipëri shënohet si festë zyrtare, ndërkohë simbolizon ditën e shpresës dhe ripërtëritjes që përkon edhe me ardhjen e stinës së pranverës.

TRT Balkan / agjencitë