Kuvendi i Shqipërisë ka përllogaritur dëmet e shkaktuara nga incidentet në Parlament në seancën e 30 shtatorit, ku opozita dogji karriget dhe dëmtoi sende të tjera.
Deputetët e opozitës në Shqipëri do të duhet të paguajnë shumën e 764.922 mijë lekëve apo rreth 7.500 euro për djegien e karrigeve gjatë seancës parlamentare të 30 shtatorit në Kuvend.
Grupi i Kontrollit dhe auditit të inventarit të dëmeve që ngriti vetë Kuvendi ka përfunduar bilancin dhe nxori në përfundim shifrën e 764.922 mijë lekëve.
Në shkresën e siguruar nga ATSh-ja rezultojnë edhe emrat e deputetëve përgjegjës dhe faturat që do paguajë secili prej deputetëve të opozitës. Sipas filmimeve, në dëmtimin, djegien e karrigeve, shkatërrimin e mikrofonëve, dyerve dhe foltores, janë deputetët e PD-së: Gazment Bardhi, Flamur Noka, Bledjon Nallbati dhe Elda Hoti, të përjashtuar me 40-60 ditë nga Kuvendi dhe madje të denoncuar në Prokurori bashkë me 19 deputetë të tjerë.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi duhet të zhdëmtojë dëmet me vlerë 209.175 lekë, deputeti Flamur Noka duhet të zhdëmtojë dëmet me vlerë 187.455 lekë, deputeti Bledjon Nallbati duhet të zhdëmtojë vlerën 187.455 lekë dhe deputetja e PD-së Elda Hoti duhet të zhdëmtojë dëmet me vlerë 180.837 lekë.