Ministria e Ekonomisë, e Kulturës dhe e Inovacionit deklaroi se me nisjen e vitit të ri shkollor deri tani janë regjistruar 4.450 të rinj në shkollat profesionale.
Në total janë 15 mijë të rinj që vijojnë studimet në arsimin profesional.
Arsimi profesional përfshin një gamë të larmishme fushash studimi, ku secila fushë ofron mundësi për studentët për të zhvilluar aftësi të specializuara dhe për të ndjekur karriera frytdhënëse.
Përmes arsimit profesional, të rinjtë rrisin njohuritë dhe mundësitë për të gjetur veten më herët në tregun e punës.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka bërë të ditur se po mbështet nxënësit që ndjekin arsimin e mesëm profesional, duke ofruar me mbi 2500 bursa studimi deri në 7 320 lekë/muaj (74 euro) për të rinjtë.
Mbështetja sigurohet për vajzat, nxënësit që regjistrohen në degët me përparësi, nxënësit nga familjet në nevojë si dhe nxënësit që banojnë mbi 5 km larg nga shkolla profesionale.
Gjithashtu bursat aplikohen për ekselentët që kanë mbaruar vitin shkollor paraardhës në arsim profesional me notë mesatare mbi 9, si dhe grupet e veçanta.
Për t’ju përgjigjur më së miri kërkesave të epokës së re në të cilën ka hyrë arsimi profesional në Shqipëri, por edhe një kërkese të vazhdueshme të biznesit, qeveria ka ndërmarrë nismën për zbatimin e sistemit dual, duke u mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare.
Procesi i të mësuarit në shkollat e arsimit profesional është dinamik dhe praktik, duke i përgatitur studentët për sukses në botën reale.
Kurrikula fokusohet në aftësitë praktike dhe njohuritë përkatëse për industrinë, duke i lejuar studentët të zbatojnë atë që mësojnë në një mjedis mbështetës dhe ndërveprues.
Nëpërmjet një kombinimi të mësimdhënies në klasë, orëve praktike në shkollë dhe atyre në industri, studentët fitojnë përvojë të vlefshme dhe zhvillojnë një themel të fortë në fushat e tyre të zgjedhura.