Paga mesatare bruto në sektorin publik, në tremujorin e tretë të vitit 2024 arriti në rreth 987 euro, ose rreth 15% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ministri i Financave Petrit Malaj në një konferencë sot për mediet tha se “reforma në sistemin e pagave që nisi në 2013 dhe vazhdoi edhe në 2024 sot konsiderohet një objektiv i arritur dhe i përmbushur nga qeveria”.
Sipas tij, kjo reformë e rritjes së pagave në sektorin publik pati në efekt financiar në 40 miliardë lekë, ose 400 milionë euro.
Gjatë konferencës për mediet, Malaj tha se pagat në sektorin privat rregullohen nga Kodi i Punës dhe nuk mund të ketë ndërhyrje nga shteti për këtë.
Ministri theksoi se “qëllimi kryesor i qeverisë Rama, ishte që të mbështeste një punësim cilësor dhe të kishim ndër pagat më konkurruese në rajon. Sot ne e kemi përmbushur objektivin duke arritur të përmirësojmë ndjeshëm pozicionin tonë në Rajon”.
Sipas tij, me reformën e ndërmarrë, Shqipëria ka siguruar një pagë më të lartë në të gjithë sistemin arsimor, shëndetësor dhe paga më të larta në sistemin e mbrojtjes sigurisë dhe rendit.
“Paga mesatare mujore bruto e përgjithshme e cila përfshin sektorin publik dhe privat është rritur nga 45 mijë lekë që ishte në vitin 2013, në 77.669 lekë për 3-mujorin e tretë 2024”, tha Malaj.
E konvertuar në euro, vijoi ai, shifrat janë respektivisht në 2013, paga mesatare mujore 322 euro dhe në vitin 2024, 791 euro me një rritje 2,3 herë më shumë.
Sa i takon pagës mesatare në sektorin publik ajo është rritur nga 52 mijë lekë që ishte në 2013, në 96 mijë e 856 lekë për 3-mujorin e tretë 2024. E konvertuar në euro me kursin respektiv të të dy viteve kemi në 2013, paga bruto në sektorin publik ishte 372 euro dhe në 2024, paga mesatare bruto 987 euro me një rritje 2,4 herë më shumë.
Malaj tha se reforma e rritjes së pagave ka prekur sektorët kryesorë në vendin tonë.
Konkretisht, vijoi ai, paga mesatare në sektorin e arsimit, paga për mësuesit në arsimin parauniversitar arriti në mbi 103 mijë lekë në muaj nga 62 mijë lekë në 2013.
Gjithashtu, në sektorin e shëndetësinë paga mesatare për mjekët llogaritet në masën 150 mijë lekë, nga 70.594 lekë në muaj, që ishte ne vitin 2013.
“Paga mesatare për një infermierë sot llogaritet në 87 mijë lekë nga rreth 40 mijë lekë që ishte në 2013. Në sektorin e sigurisë dhe rendit dhe gjithë stafin policor në vend, me reformën që u ndërmor në vitet 2023 -2024, paga mesatare rezultoi me rreth 106 mijë lekë pa përfshirë të gjitha përfitimet që ata marrin siç është ushqimi, uniforma etj. Ndërsa për mbrojtjen paga mesatare për forcat e armatosura është rritur me 95 mijë lekë në muaj”, deklaroi ministri Malaj.