Shqipëri, prezantohet Fjalori i Madh për Gjuhën Shqipe

Në ditën e dytë të Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, ka paraqitur Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, vepër e një pune 4-vjeçare, të ndërmarrë nga Akademia e Shkencave në bashkëpunim me tërë institucionet e kësaj fushe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut.

“Nevoja për një fjalor të madh të shqipes kishte lindur me kohë. Shqipja ishte ndër gjuhët e pakta që i mungonte një fjalor i tillë”- tha Gjinushi. Akademia, u shpreh Gjinushi, në kuadër të reformimit të saj, si nxitëse e koordinuese e kërkimit shkencor, veçanërisht në fushën e albanologjisë, zgjodhi të ideojë e drejtojë tri projekte madhore në këtë drejtim, përfshirë dhe hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe.

“Për ndërmarrjen e këtyre iniciativave ajo bashkëpunoi me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, duke e përfshirë atë në protokollin e përbashkët”- tha Gjinushi. Gjinushi shtoi më tej se fillimi i punës e konturimi i projektit u mbështet mbi përvojën e hershme historike të Akademisë së Shkencave, Institutit të Gjuhës dhe të Letërsisë e Departamentit të Gjuhës në hartimin e një sërë fjalorësh deri tek ai i mesëm i vitit 1980.

Sipas kryetarit të Akademisë së Shkencave, hartimi i platformës paraprake iu besua akademik Jani Thomait e akademik Valter Memishës, drejtor i Institutit të Gjuhësisë e kryetar i komisionit të përhershëm të gjuhës dhe të letërsisë në atë kohë. “Për të hartuar këtë vepër u ftuan tërë specialistët e fushës në trojet shqiptare e Arbëri, përgjigjja e gatishmëria e tyre, si dhe e qeverisë dhe Kryeministrit për të na besuar e financuar këtë projekt madhor, mundësoi fillimin e punës e kryerjen me kompetencë e në kohën e duhur të kësaj vepre madhore”- tha Gjinushi.

Gjinushi tha më tej se për hartimin e saj u ngrit një grup i përbërë nga 55 bashkautorë e 25 hartues, të drejtuar nga një redaksi prej 10 leksikografësh e në ndihmë të saj u krijua një qendër e posaçme, ajo e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, tashmë e kthyer në qendër të përhershme, si një organ administrativ e profesional. “Pra, u ngrit një trupë e krahasueshme me dy institute; Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë ka sot 21 punonjës kërkimorë-shkencorë.

Kjo, përbëhet nga punonjësit akademikë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Universitetit të Prishtinës, të Tiranës e universitetet e tjera publike në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut si dhe të Universitetit të Palermos e të Kozencës”- tha Gjinushi. Më tej, Gjinushi tha se për hartimin e tij u krijua një bazë të dhënash elektronike me një fond prej 800 milionë njësish, në të cilat u përfshinë tërë fjalorët e mëparshëm e veprat e autorëve më në zë shqiptarë nga Buzuku, Fishta e deri te Kadareja, si dhe u krijua njësia me specialistë IT dhe të gjuhësisë kompjuterike për të mundësuar hartimin e tij sipas teknologjive më të përparuara të kohës.

“Fjalori i madh nuk plotëson vetëm këtë detyrë e përgjegjësi të marrë nga Akademia e Shkencave e gjuhëtarëve, nën drejtimin e akad. Thomait e Memishës, por, përvoja e fituar, baza e të dhënave e krijuar mundëson jo vetëm mbarëvajtjen e tij të vazhdueshme e pasurimin e tij sipas zhvillimit të gjuhës sonë, por vazhdimin e punës për krijimin e thesarit të shqipes; këtë rol ka qendra e re e leksikografisë e themeluar me vendim të Këshillit të Ministrave e të Asamblesë”- tha Gjinushi.

Gjinushi tha se fjalori nuk është seleksionues ndaj dialekteve dhe krahinave në përzgjedhjen e fjalëve, të cilat janë përfshirë në fjalor vetëm sipas kritereve shkencore. “Respektimi i gjuhës standarde do të thotë se çdo fjalë duhet shkruar sipas rregullave të saj pavarësisht se cilit dialekt i përket”- u shpreh Gjinushi. Projekti “Fjalor i madh i gjuhës shqipe”, krahas projekteve “Historia e popullit shqiptar” dhe “Enciklopedia shqiptare”, mori miratimin e plotë e mbështetjen e gjithanshme edhe të Qeverisë e drejtpërdrejt të kryeministrit, Edi Rama.

Si një projekt qeveritar mbarëkombëtar, ai mori edhe miratimin e Qeverisë së Kosovës. Fjalori u konceptua e përgjithësisht u realizua si një projekt mbarëkombëtar edhe nga institucione të tjera të mirëfillta kërkimore-shkencore: nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, disa universitete e institucione shkencore në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, Universiteti i Palermos e Universiteti i Kozencës në Itali etj.

Projekti u shtri në 4 vjet. Për të punuan një grup me mbi 55 bashkëpunëtorë e 25 hartues, me një redaksi prej 10 leksikografësh me përvojë. Por, shqipja e kishte të domosdoshme e të ngutshme hartimin e një fjalori të madh. Ajo ishte ndër të rrallat gjuhë që nuk kishte një fjalor të tillë. Përdoruesi i saj si qytetar i thjeshtë, si shtetar, si politikan, si student, si mësues, si gazetar, si shkrimtar, si diplomat, si studiues, si përkthyes e kushdo që merret me të, kishte nevojë për një fjalor që të kishte të paktën një sasi fjalësh sa dyfishin e njësive (të fjalëve) të fjalorëve në qarkullim.

Vepra u projektua si një Fjalor me 90.000 fjalë e 10.000 njësi frazeologjike, por nga puna e bërë për të krijuar Korpusin / Databazën a kartotekën e veçantë solli lëndë të bollshme dhe në gjendjen e tanishme kemi këtë pasqyrë statistikore Lënda leksikografike (fjalori i mirëfilltë) përfshin: – 103.000 fjalë si fjalë-titull (mbi 2,5 herë më shumë se “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, 1980) – Rreth 5.000 emërtime të pathjeshta për realie (të botës materiale dhe jomateriale) – Rreth 3.000 njësi leksiko-gramatikore “të fshehura: (që nuk dalin në makrostrukturë si njësi të mëvetësishme) – 11.500 njësi frazeologjike – 1.400 shprehje të huaja të paasimiluara – 1.200 shkurtesa / akronime

Gjithashtu, në Fjalor janë ndërtuar mbi 40.000 vargje sinonimike, të cilat po plotësohen edhe më gjatë redaktimit e verifikimit të mëtejshëm që po i bëhet veprës Vepra deri tani ka mbi 23.000.000 karaktere dhe hapësira, të cilat kthehen a konvertohen në 9.200 faqe kompjuterike ose në 10.000 faqe A4. Përmbledhtas, vepra ka gjithsej 124.000 njësi.

ATA