Shqipëri, prezantohet projektligji “Për Forcën Rezerviste” / Photo: ATA

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, prezantoi në Komisionin për Ekonominë dhe Financat projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë”.

Ministri Vengu foli për rëndësinë që ka miratimi i këtij projektligji si dhe qëllimet që synohen të arrihen.

“Ndryshimi i mjedisit të sigurisë kohët e fundit, por edhe sfidat e viteve dhe dekadave të ardhshme, kërkojnë që vendi ynë të rrisë në maksimum kapacitetet dhe sinergjitë e forcave aktive, ndërkohë që është i nevojshëm zhvillimi i një force rezerviste të integruar në forcën aktive, me role dhe detyra të reja e të përcaktuara qartë”, tha ai.

Sipas Vengut, qëllimi i kësaj nisme ligjore është kompletimi i strukturës së shërbimit ushtarak në rezervë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke garantuar nivelin e gatishmërisë dhe duke synuar rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes për t'i përmbushur me sukses operacionet në të cilat kjo forcë përfshihet, si dhe të rregullojë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e shtetasve, të organeve shtetërore e subjekteve private për rekrutimin dhe shërbimin në forcën rezerviste.

Më tej, ministri i Mbrojtjes i njoftoi deputetët e pranishëm edhe me numrin e trupave rezervë që synohet të afrohen si dhe me kostot për ngritjen e këtij komponenti.

“Kjo ndërhyrje mbështet objektivat e nivelit të lartë të FA-së dhe Qeverisë, pasi do ta mundësojë ngritjen e një trupe rezerviste bashkëkohore, në përgjigje të kërkesave të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, duke rritur kështu numrin e këtij komponenti deri në 20% të forcës aktive”, tha ai.

Sipas planit Afatgjatë të Zhvillimit të FA është parashikuar që numri i personelit rezervistë të FARSh-it do të jetë rreth 2.100 veta në 2030-ën, nëse kushtet dhe mjedisi i sigurisë nuk kërkojnë rritjen e tij.

Ky projektligj ka efekte financiare shtesë për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Kostoja fillestare e aktivizimit, e përllogaritur për një numër efektivash prej 2.100 vetash, do të jetë në vlerën 1,5 miliardë lekë dhe kostoja mesatare e 8 mobilizimit për një afat kohor mesatar prej 40 ditësh mobilizim në vit do të jetë në vlerën 826 milionë lekë.

ATA
Kjo faqe përdor cookies. Duke vazhduar të shfletoni faqen, ju pranoni përdorimin e cookies.Politika e Cookies
Pranoj