Shqipëri, protestë në mbështetje të pensionistëve / Photo: AA

Në Shqipëri është zhvilluar një protestë në mbështetje të pensionistëve dhe kundër projektbuxhetit të propozuar për vitin 2025.

Protesta, e organizuar nga Partia Demokratike (PD), partia më e madhe opozitare, u mbajt para Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa në seancën plenare po diskutohej buxheti i ri.

Pensionistët dhe qytetarët pjesëmarrës theksuan se të ardhurat e tyre janë të pamjaftueshme për përballimin e kostos së jetesës.

Në protestë morën pjesë edhe deputetë të opozitës, të cilët kundërshtuan projektbuxhetin me fjalime brenda dhe jashtë Kuvendit.

Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan dhjetëra forca policore, ndërkohë nuk u shënuan incidente.

Projektbuxheti i vitit 2025 është planifikuar të jetë në vlerën 8,2 miliardë euro, por ka hasur kundërshtime nga opozita, e cila e cilëson atë si "kundër interesave të qytetarëve."

Sipas Partisë Demokratike, pensionistët “nuk mund të lihen në harresë nga qeveria” dhe ka propozuar amendament për rritjen e pensioneve dhe pesëfishimin e fondit për rritjen e tyre.

Gjithashtu, PD-ja ka prezantuar disa amendamentet për buxhetin e vitit 2025 edhe për sektorë të tjerë, si miratimi i një minimumi jetik 200 euro për çdo shqiptar, rritje me 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për buxhetin e arsimit, rritje me 1 për qind të PBB-së për buxhetin e shëndetësisë, rritje me 10 për qind të pagave të administratës publike, si dhe rritje me 20 për qind të pagave të mësuesve dhe pedagogëve, mjekëve dhe infermierëve.

Nga ana tjetër, autoritetet shqiptare kanë argumentuar se projektbuxheti i vitit 2025 mbështet zhvillimin ekonomik dhe social të vendit dhe reformat për përshpejtimin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Pas diskutimeve në seancë plenare, "Projektligji për buxhetin e vitit 2025" do të votohet në parim dhe në tërësi.

TRT Balkan / agjencitë