Shqipëri, rritet mbështja financiare për ushtarakët                              Foto: ATA

Trajtimi financiar për ushtarakët shqiptarë është rritur ndjeshëm për kushte të veçanta pune.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu ndau sot shifrat e rritjes për disa kategori. Pilotët, Forcat Speciale, Zhytësit, Forcat Komando dhe shumë kategori të tjera përfitojnë rritje nga 130 - 1.000 euro.

Shtesa për kushte të veçanta pune për pilotët ishte 800 euro, bëhet 1.000 euro. Njësia Ushtarake e Sigurisë Kibernetike: ishte 500 euro bëhet 700 euro.

Agjencia e Sistemeve të Ndërlidhjes e Informacionit: ishte 350 euro bëhet 400 euro.

Investimi në kapacitetet njerëzore, me fokus trajtimin dinjitoz të efektivëve ushtarakë dhe rritjen e nivelit të tyre profesional, është tashmë një realitet.

Rreth 6.000 ushtarakë, ndër të cilët 2.500 për herë të parë, tashmë trajtohen zyrtarisht me shtesa të konsiderueshme financiare.

Përfitime të veçanta financiare do të kenë kapacitetet kombëtare si Forcat Speciale, pilotët, inxhinierët dhe teknikët e mirëmbajtjes, njësia kibernetike, operatorët e dronëve, forcat e dedikuara për emergjencat civile dhe shumë njësi të tjera të rëndësishme.

Qeveria shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes mbeten të përkushtuara për të rritur trajtimin financiar të efektivëve të Forcave të Armatosura çdo vit, duke synuar përafrimin me nivelin mesatar të vendeve të Aleancës së NATO.

TRT Balkan / agjencitë