Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka raportuar sot mbi situatën e zjarreve në vend.
Bazuar në të dhënat nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, ditën e sotme vijojnë të jenë aktive: vatra e zjarrit midis fshatit Kakarriqit, njësia administrative Balldren, dhe fshatit Gjadër, njësia administrative Dajç, bashkia Lezhë, zjarri në fshatin Zavaline, bashkia Elbasan.
Ndërkohë, në njësinë administrative Gostimë, bashkia Elbasan, po punohet për shuarjen e një tjetër vatre. Ekipet e emergjencave vijojnë punën për shuarjen e vatrave edhe në zonën pyjore Bode, bashkia Maliq, në fshatin Kus, bashkia Tiranë, në fshatin Mushnik, bashkia Rrogozhinë, në fshatin Vorfë, bashkia Malësi e Madhe, në fshatin Salari, bashkia Tepelenë, si dhe në parkun kombëtar Qafshtamë, bashkia Krujë.
Njoftohet se vatrat e zjarrit momentalisht nuk përbëjnë rrezik për zonat e banuara.
Në 24 orët e fundit, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 599 forca operacionale dhe 452 mjete.
MM kërkon nga të gjitha institucionet dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile angazhimin e tyre maksimal për menaxhimin e situatave të shkaktuara nga zjarret.
Gjithashtu, Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje qytetarëve të raportojnë në kohë në numrat e emergjencave për çdo problematikë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të vijojë pa ndërprerje të ndjekë ngjarjet dhe do të ndërveprojë me të gjitha kapacitetet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.