Dita e dytë e Konferencës së Ambasadorëve "Tirana Diplo 2024", në Shqipëri po zhvillohet me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe konsujve të përgjithshëm të Shqipërisë nëpër botë, si dhe zyrtarëve të tjerë nga disa vende.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me konferencën ka theksuar se faktori shqiptar ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë një shtyllë e rëndësishme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Ai ka shtuar se këto vlera do të bëhen edhe më të dukshme dhe të prekshme për të gjithë, nëse sipas tij bashkëpunojnë për të forcuar rolin dhe unitetin e këtij faktori.
"Në panelin ‘Hapësira shqiptare në gjeopolitikën e rajonit’ , në Konferencën e Ambasadorëve ‘Diplo 2024’ theksova parimet dhe prioritetet e qeverisë shqiptare dhe politikës sonë të jashtme, të cilat janë të përkushtuara ndaj bashkëpunimit me faktorin shqiptar në të gjitha vendet e rajonit. Një shembull konkret i këtyre përpjekjeve është krijimi i një drejtorie të re, e cila do të fokusohet në politikat që kanë në qendër shqiptarët në rajon, me një vëmendje të veçantë ndaj bashkëkombësve tanë kudo ku ata jetojnë", ka shkruar Hasani.
Hasani gjithashtu ka theksuar se forcimi i unitetit dhe ndikimit të faktorit shqiptar, do të promovojë një të ardhme të përbashkët dhe të qëndrueshme në rajon.
Pjesë e punimeve në ditën e dytë të konferencës, përveç ministrit Hasani ishin edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, dhe zyrtarë, ish-zyrtarë dhe studiues të tjerë nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova.
Konferenca e Ambasadorëve "Tirana Diplo 2024" (26-28 gusht), organizohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë. Sipas MEPJ-së, konferenca është një takim, i cili do të ofrojë një mundësi për të paraqitur prioritetet që do të orientojnë punën e misioneve diplomatike të Shqipërisë në botë.