Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, u shpreh sot se zjarrvënia dhe krimet mjedisore duhet të ndëshkohen rreptësisht, nisur nga zjarret e ditëve të fundit me dëme të konsiderueshme në disa lokacione në Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale, Balla përgëzoi Policinë e Shtetit në Vlorë, Delvinë dhe Cërrik për reagimin e shpejtë dhe efikas, që rezultoi me arrestimin e tre autorëve të dyshuar për zjarrvënie, të cilët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në pronën e qytetarëve dhe ndotje të mjedisit.
Ministri Balla nënvizoi se Policia e Shtetit po bën çdo përpjekje për të identifikuar autorët e të gjitha rasteve të vënies së zjarrit në vend dhe u bëri thirrje qytetarëve të kontribuojnë në eliminimin e rrezikut duke ndihmuar në fazat e para të incidenteve.
“Zjarrvënia apo çdo vepër tjetër penale në dëm të mjedisit do të marrë ndëshkimin sipas ligjit,” deklaroi Balla, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit qytetar për mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë publike.