Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut me gjithnjë e më pak nxënës /          Foto: AA

Emigracioni masiv që gjatë dekadës së fundit ka përfshirë vendet e Ballkanit po jep rezultate negative edhe në arsimin shkollor. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut për çdo vit regjistrojnë ulje të konsiderueshme të numrit të nxënësve në arsimin e ulët dhe atë të lartë.

Në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT-it, (2023-2024) shënon një ulje të regjistrimit të nxënësve në shifren 20.511 më pak krahasuar me një vit shkollor më parë (2022-2023). Një shifër e tillë, shënon rënien deri në 3,7%, krahasuar me një vit më parë.

Në vitin shkollor 2023-2024 u regjistruan 533.711 nxënës (arsimi parauniversitar dhe të lartë së bashku), ndërsa për 2022-2023 ishin të regjistruar 554.222 nxënës.

Nga totali 533.711 nxënës të regjistruar për vitin 2023-2024, 48,4% e tyre janë të arsimit 9-vjeçar, 12,5% në kopshte, 17,2% në arsim të mesëm, ndërsa 21,9% në universitete.

Kosova me mbi 75 mijë nxënës më pak këtë vit

Edhe në Kosovë numri i përgjithshëm i nxënësve në institucionet publike parauniversitare në vend ka shkuar duke rënë vazhdimisht në mënyrë drastike.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin shkollor 2015/2016 numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme ka qenë 367.940, ndërsa në vitin 2023/2024 ky numër ka rënë në 291 mijë e 882 nxënës ose 76 mijë e 58 më pak në vit.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i nxënësve në klasën I të shkollës fillore në vitin shkollor 2015/2016 ka qene 26.959 nxënës, ky numër në vitin 2023/2024 ka rënë në 22 mijë e 765 nxënës, ose 4.194 vetëm në klasën e parë.

Maqedonia e Veriut edhe me më pak objekte shkollore

Në Maqedoninë e Veriut sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave të publikuara në muajin mars, në fillim të vitit shkollor 2023/2024 numri i nxënësve në shkollat ​​e rregullta fillore ishte 182.124, që paraqet një rënie prej 1,6% krahasuar me vitin shkollor paraprak.

Numri i nxënësve në shkollat ​​e mesme të rregullta, në fillim të vitit shkollor 2023/2024, është 67.278, që paraqet një rënie prej 2,8% krahasuar me vitin paraprak shkollor.

Maqedonia e Veriut në fakt përballet edhe me një fenomen edhe më shqetësues, atë të mbylljes së shkollave.

Derisa në vitin shkollor 2018/2019 numri i shkollave fillore ishte 1.042 në vitin akademik 2023/2024 ka vetëm 1.000 shkolla fillore, sipas të dhënave të reja të Entit Shtetëror të Statistikave, ndërsa në të njejtën periudhë, numri i shkollave të mesme u zvogëlua nga 138 në 135.


TRT Balkan