Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut trajnohen për siguri kibernetike / Foto: ATA

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi po trajnohen për t’iu përgjigjur sulmeve kibernetike. Trajnimi “live fire cyber drill”, organizuar nga Akademia Estoneze për e-Qeverisje (eGA) dhe Cybexer Technologies, është pjesë e Projektit të Reagimit të Shpejtë të financuar nga BE-ja për përmirësimin e qëndrueshmërisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj dhe Presidenti i Estonisë Alar Karis vëzhguan trajnimin në kuadër të vizitës zyrtare të punës së Presidentit Karis në Shqipëri.

“Duhen përpjekje të përbashkëta për të forcuar qëndrueshmërinë e hapësirës kibernetike të partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe për të rritur ndërgjegjësimin e autoriteteve publike të rajonit për sigurinë kibernetike. Duke angazhuar njohuritë dhe ekspertët më të mirë, Bashkimi Evropian mbështet Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut për arritjen e këtij qëllimi”, tha Ambasadorja e BE-së në Shqipëri Christiane Hohmann.

Aktiviteti u ofroi pjesëmarrësve një përvojë praktike për të mbrojtur sistemet e IT-së nën sulme të forta kibernetike. Mjedisi i trajnimit u sigurua nga një kompani estoneze e sigurisë kibernetike e vlerësuar nga NATO-ja, Cybexer Technologies.

“Jeta jonë e përditshme varet nga qëndrueshmëria e hapësirës sonë kibernetike. Praktikimi i reagimit ndaj sulmeve kibernetike në një mjedis të simuluar krize është një mënyrë e mirë për të rritur sigurinë kibernetike të infrastrukturave dhe shërbimeve tona kritike. Ky ushtrim është një mundësi e shkëlqyer për audiencën e trajnimit që të praktikojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe shkëmbimin e informacionit,” tha Drejtuesi i Ekipit të Projektit nga Akademia Estoneze për e-Qeverisje Merle Maigre.

Trajnimi kibernetik u ofrua në kuadër të projektit “Reagimi i Shpejtë i Sigurisë Kibernetike për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut”, financuar nga Bashkimi Evropian. Me një buxhet prej 2,6 milionë eurosh dhe në funksionon që prej gushtit 2022 dhe gjatë gjithë vitit 2023, projekti synon të përmirësojë aftësitë kibernetike të vendeve, trajtimin e incidenteve kibernetike dhe të përforcojë efektivitetin e menaxhimit të rrezikut kibernetik. Projekti zbatohet nga Akademia për e-Qeverisje, Estoni.

ATA