Shqipëria më 13 shkurt në zie kombëtare në shenjë nderimi për Türkiyen.     /Foto: Edi Rama/Facebook

Qeveria Shqiptare ka vendosur që e hëna, 13 shkurt, të jetë DITË ZIE KOMBËTARE në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, si edhe në shenjë solidariteti me Türkiyen mike, e cila na u gjend pranë kur një fatkeqësi e ngjashme goditi Shqipërinë pak kohë më parë, njoftoi përmes rrjetit social Facebook, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Ulja e flamurit kombëtar në gjysmë shtize dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë”, shkruan Rama.

💔⚫️ Qeveria Shqiptare ka vendosur që e hëna, 13 shkurt, do të jetë DITË ZIE KOMBËTARE në shenjë dhimbjeje e lutjeje për...

Posted by Edi Rama on Friday, February 10, 2023

Përdersia njësitë e emergjencës së Shqipërisë në rajonet e prekura nga tërmeti në Türkiye, po bëjnë përpjejke për gjetjen e të mbijetuarve, në Shqipëri, vazhdon mbledhja e ndihmave për familjet e prekura nga tërmetet shkatërrimtare në nën koordinimin e institucioneve dhe organizatave të ndryshme.

Fushatë e Bashkisë së Tiranë “Dhuro për popullin turk”

Bashkia e Tiranës ka iniciuar fushatën për mbledhjen e ndihmave në materiale të ndryshme për familjet e prekura nga tërmetet në Türkiye, duke u bëre thirrje qytetarëve që t'i bashkohen fushatës.

Nën emërtimin “Dhuro për popullin turk”, me anë të fushatës synohet mbledhja e ndihmave të ndryshme materiale si rroba, batanije dhe të tjera, që do të dërgohen në Türkiye, ndërkohë, tenda për grumbullin e tyre është ngritur pranë godinës së Bashkisë së Tiranës.

Në lidhje me nismën ka shkruar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili në rrjetet sociale shkruan: "Mbështesim popullin turk në këto momente të vështira".

Qytetarët e Tiranës kanë treguar solidaritetin e tyre pas nisjes së fushatës duke sjellë ndihma materiale të ndryshme, kryesisht rroba.

Nga ana tjetër, në Shqipëri vazhdon grumbullimi i ndihmave edhe nga organizata të ndryshme, që janë shumat në para, rroba, materiale higjienike, materiale strehimi, ngrohëse dhe të tjera.

Kujtojmë Shqipëria ka shpallur 13 shkurtin ditë zie kombëtare, në nderim të viktimave të tërmeteve shkatërrimtare dhe në shenjë solidariteti me Türkiye-n.




TRT Balkan