Brenda vitit 2023 në Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë kanë udhëtuar 7,2 milionë udhëtarë. Sipas autoriteteve të aeroportit, turizmi në vitin 2023 konsiderohet si moment historik dhe mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë.
“TIA shpall me krenari një moment historik të rëndësishëm, pasi i ka shërbyer 7.257.634 pasagjerëve gjatë gjithë vitit 2023. Kjo arritje shënon një rritje të konsiderueshme prej 40% krahasuar me një vit më parë dhe 117% se viti 2019, duke forcuar pozicionin e TIA-s si një çelës lojtar në industrinë rajonale të aviacionit”, thuhet në njoftimin për mediat nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Viti 2023 sipas drejtuesve të aeroportit shfaqi rritje të qëndrueshme përgjatë muajve të ndryshëm, duke theksuar përkushtimin e aeroportit për të ofruar shërbime të shkëlqyera dhe për të nxitur udhëtimin ajror.
Ndryshe, përgjatë 12 muajve të kaluar Shqipërinë, siç raportoi ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla, e kanë vizituar 10.155.640 shtetas të huaj.