Shqipëria ratifikon marrëveshjen me BE-në për aktivitetet e Frontex-it / Foto: AA

Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar "Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për aktivitetet operacionale të kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex) në Shqipëri".

Në seancën e cila zgjati rreth 12 minuta për shkak të bllokimit të diskutimeve nga deputetët opozitarë nga Partia Demokratike dhe jashtë grupeve parlamentare, projektligji për ratifikimin e marrëveshjes në fjalë u miratua me 73 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.

Më 15 shtator 2023, Shqipëria dhe Bashkimi Evropian nënshkruan në Tiranë marrëveshjen për aktivitetet operacionale të Frontex-it.

Sipas marrëveshjes, Frontex do të jetë në gjendje të ndihmojë Shqipërinë në menaxhimin e flukseve migratore, luftimin e emigracionit të paligjshëm dhe trajtimin e krimit ndërkufitar.

Autoritetet shqiptare kanë theksuar se, sipas marrëveshjes, bashkëpunimi bazohet në parimet e partneritetit dhe respektit të ndërsjellë, ku për secilin aktivitet operativ do të dakordësohet plani operativ ndërmjet Frontex-it dhe Shqipërisë.

Marrëveshja në fjalë do të hyjë në fuqi pas dekretimit të ratifikimit nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

Deputetët e opozitës pengojnë diskutimet

Deputetët e opozitës kanë penguar diskutimet mbi marrëveshjen për operacionet e Frontex-it dhe për projektligje të tjera në rendin e seancës, duke qëndruar në këmbë pranë foltores dhe duke mbajtur pankarta me mbishkrimet "Nuk duam parlament monist, "Liri-Demokraci", "Vrasës i demokracisë", "Vrasës i pluralizmit" dhe të tjera.

Edhe pas thirrjeve së kryeparlamentares Lindita Nikolla, disa nga deputetët e opozitës nuk u ulën në vendet e tyre, duke mos lejuar vijimin e diskutimeve në seancë.

Qëndrimet e deputetëve të opozitës në seancat e fundit parlamentare janë në vazhdën e tensioneve në Kuvendit në fund të vitit 2023.

Kujtojmë se seancat e Kuvendit të Shqipërisë në muajit e fundit të vitit të kaluar u përfshinë nga tensionet, pasi sipas deputetëve të opozitës nuk respektohen të drejtat e tyre dhe nuk miratohen në Kuvend nismat dhe kërkesat e tyre.

AA