Në Shqipëri sot shënohet Dita Kombëtare e Pelikanit Kaçurrel (Pelecanus crispus). Popullata më e madhe e këtij lloji të pelikanit gjendet në lagunën Karavastasë.
Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro, u shpreh se kjo ditë i kushtohet një prej specieve simbol të vendit tonë.
Pelikani kaçurrel në pjesën e pasme ka pendë kaçurrele (të përkulura), qesja e fytit është me ngjyrë portokalli, këmbët gri e errët, ndërsa gjoksi është si i bardhë. Në majat e krahëve ka pak pendë të zeza.
Gjatësia e trupit të pelikanit është rreth 180 cm, ndërsa hapja e krahëve rreth 3 m. Pesha mesatare është prej 11,5 kilogramë dhe e bën shpendin më të rëndë në botë të gjinisë së vet.
Vrojtimi në distancë nga qendra e vëzhgimit e ngritur enkas në parkun Divjakë-Karavasta është një peizazh i papërsëritshëm. Vizitorë të shumtë vendas e të huaj vëzhgojnë këtë shpend të rrallë.
Prania e Pelikanit Kaçurrel vërehet edhe në liqenin e Shkodrës, lagunën e Vilunit, etj.