Shqipëria synon target të lartë të energjisë së rinovueshme deri në 2030 / Foto: Facebook - Belinda Balluku

Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë dhe Ministre e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në takimin e nivelit të lartë politik në Kombet e Bashkuara në New York, me fokus objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Balluku tha se “ky ishte një takim, i cili parapërgatit atë që do të ndodhë në Samitin e shtatorit, ku të gjitha vendet do të ulen për të folur për një udhërrëfyes, i cili do të shërbejë për të ardhmen dhe për të arritur të gjitha targetet e vendosura në agjendën e vitit 2030”.

Balluku parashtroi objektivat e qeverisë së Shqipërisë për rritjen e investimeve dhe të përdorimit të energjisë së rinovueshme.

“Shqipëria, Qeveria Shqiptare dhe parlamenti shqiptar kanë kohë që angazhohen për këtë agjendë dhe ne jemi të sigurt që do të arrijmë shumë prej këtyre targeteve, siç është rasti i targetit të energjisë së rivovueshme”, tha ajo.

Balluku theksoi se gjatë vitit të kaluar janë përdorur 42% energji të rinovueshme në shkallë vendi dhe targeti i vitit 2030 është 45%, duke e bërë kështu Shqipërinë shumë afër këtij targeti.

Balluku tha se është vendosur që targeti për Shqipërinë në agjendën 2030 të jetë 54,4%, duke e bërë vendin si një nga shembujt më të mirë për t’u marrë, jo vetëm për Ballkanin, por edhe Evropën.

ATA