Shqiptarët përbëjnë një ndër komunitetet më të mëdha jovendase në Bashkimin Evropian, tregon raporti i fundit statistikor i zyrës evropiane të statistikës, Eurostat.
Sipas të dhënave për përbërjen e popullsisë, rreth 2.5% të popullsisë jovendase janë shqiptarë nga Shqipëria, dhe rreth 1.5% nga Kosova. Kështu, me rreth 4% të popullsisë jovendase, shqiptarët janë komuniteti i katërt më i madh në BE, bashkë me kinezët.
Më së shumti shqiptarë nga Shqipëria ka në Itali, me dallim të madh ndaj shteteve të tjera. Gjermania dhe Franca janë vendet e tjera anëtare të BE-së me më shumë popullsi nga Shqipëria. Për shqiptarët në Greqi nuk ka të dhëna zyrtare nga Eurostat, por besohet se ka një numër të madh migrantësh nga Shqipëria.
Të dhënat zyrtare tregojnë se komuniteti më i madh janë marokenët, të cilët përbëjnë rreth 8,7% të popullsisë jovendase.
Menjëherë pas tyre vijnë turqit. Ata përbëjnë rreth 8,5% të popullsisë jovendase brenda BE-së.
Kriza shumëvjeçare në Siri dhe ikja e tyre nga lufta ka bërë që refugjatët sirianë të jenë komuniteti i tretë më i madh në Bashkimin Evropian.
Kinezët dhe shqiptarët përbëjnë mbi 4% secila të popullsisë jorezidente.
Serbët përbëjnë mbi 2% të strukturës së popullsisë së jashtme në BE.
Gjithsej 31 vende origjine kontribuojnë me të paktën 1% të popullsisë jovendase në BE. Mes tyre janë edhe Bosnjë e Hercegovina (2% të popullsisë jovendase) dhe Maqedonia e Veriut (mbi 1% të popullsisë jovendase).
Nga 447.2 milionë banorë, sa ka pasur BE-ja më 1 janar 2021, rreth 23.7 milionë kanë qenë jovendas, ose gjithsej 5.3% nga popullsia e përgjithshme e Bashkimit Evropian.