Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GjKKO) ka shtyrë seancën mbi masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion.
Burimet zyrtare nga GjKKO-ja konfirmuan për Anadolun se seanca është shtyrë për nesër, pasi, sipas gjykatës, avokatët kanë kërkuar të njihen me aktet dhe provat.
Në seancën e sotme nuk ka qenë i pranishëm Berisha, i cili është përfaqësuar nga avokatët e tij.
Në një deklaratë për mediat sot, një nga avokatët e Berishës u shpreh se seanca e sotme kishte të bënte me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj Berishës në "arrest shtëpie".
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktoi më 20 tetor 2023 masën "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore" dhe "ndalim i daljes jashtë shtetit", për ish-kryeministrin Berisha, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion, ndërsa për dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi, ishte caktuar fillimisht masa "arrest me burg" dhe më pas "arrest në shtëpi", i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) i kërkoi më 12 dhjetor Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, kërkesa e cila u miratua nga Kuvendi më 21 dhjetor.
Objekti i hetimit të këtij procedimi penal, sipas SPAK-ut, janë veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të "Klubit të Futbollit Partizani" dhe "Klubit Shumësportesh Partizani" në Tiranë.
Aktualisht nga Kuvendi i Shqipërisë Berisha njihet zyrtarisht si deputet jashtë grupeve parlamentare, për shkak të përplasjeve të fundit brenda Partisë Demokratike.