Krerët e Bosnjë e Hercegovinës, të Kroacisë dhe të Serbisë me pajtimin e arritur i dhanë fund luftës katërvjeçare në Bosnjë e Hercegovinë.      Foto: Reuters Archive



Në këtë ditë të vitit 1995, në Pallatin Elysee në Paris u nënshkrua Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, e cila zyrtarisht i dha fund luftës katërvjeçare në Bosnjë e Hercegovinë.

Nënshkrimit të marrëveshjes i ka paraprirë një marrëveshje më 21 nëntor të po këtij viti në Dejton, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Me atë dokument BeH u organizua si shtet i tri kombeve përbërëse dhe të tjerëve.

Marrëveshja e Dejtonit u nënshkrua nga aktorët kryesorë të negociatave të paqes - presidenti i Republikës së Bosnjës e Hercegovinës Alija Izetbegoviç, presidenti i Kroacisë Franjo Tuxhman dhe presidenti i Serbisë Sllobodan Millosheviq. Të tria shtetet u krijuan nga shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

“Kjo nuk është një paqe e drejtë, por është më e drejtë se vazhdimi i luftës. Në situatën siç është dhe në botë siç është, nuk mund të arrihet një paqe më e mirë”, tha Alija Izetbegoviq pas ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit në Paris.

Përmbajtja e marrëveshjes

Marrëveshja përbëhet nga 11 anekse, ndër të cilat është Aneksi 4 - Kushtetuta e Bosnjës e Hercegovinës. Me këtë konfirmoi sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Bosnjë e Hercegovinës si shtet. U përcaktua se BeH përbëhet nga dy entitete, Federata e Bosnjë e Hercegovinës dhe Republika Sërpska, dhe se ajo përbëhet nga kombet përbërëse boshnjak, kroat dhe serb, së bashku me të tjerët.

Sipas kësaj marrëveshjeje, 51 për qind e territorit i takonte Federatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe 49 për qind Republikës Sërpska. Rrethi i Bërçkos u formua si njësi territoriale më vete.

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në BeH (OHR) është autoriteti kryesor në interpretimin e marrëveshjes.

Megjithatë, rregullimi kushtetues i Dejtonit i BeH u bë një nga problemet themelore në funksionimin e BeH moderne, si dhe një pengesë në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik.




TRT Balkan / agjencitë