Siguria në qendër të Forumit të Prespës për Dialog / Foto: AA

Maqedonia e Veriut organizoi për herë të tretë Forumin e Prespës për Dialog, një platformë e nivelit të lartë që mbledh krerët e shteteve të rajonit dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.

Ky forum merr emrin nga Marrëveshja e Prespës, e cila i dha fund kontestit disadekadësh për emrin e Maqedonisë së Veriut me fqinjin e saj jugor, Greqinë.

Këtë vit, forumi vjen në një kontekst të ri politik, jo vetëm për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, por edhe për shkak të tensioneve në rritje mes Kosovës dhe Serbisë. Maqedonia e Veriut gjithashtu udhëheq OSBE-në gjatë këtij viti dhe është përpjekur që nëpërmjet kësaj organizate të japë kontributin e saj për paqe.

Integrimi dhe siguria

Theksi kryesor gjatë këtij forumi ishte situata e brishtë e sigurisë në Evropë dhe në Ballkan. U kritikua gjithashtu qasja e Bashkimit Evropian ndaj aspiratave integruese të vendeve të Ballkanit. Me stërzgjatjen e procesit integrues për vendet ballkanike, sipas kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, BE-ja lë boshllëk gjeostrategjik në këtë rajon.

“Ky boshllëk gjeostrategjik është një derë e hapur për erërat që tashmë po tronditin stabilitetin e Ballkanit Perëndimor të brishtë, por edhe të vetë Bashkimit Evropian, forca e të cilit është padyshim jo vetëm në bashkimin e shteteve të fuqishme ekonomikisht, por mbi të gjitha në bashkimin e të gjitha shteteve – të mëdha dhe të vogla, të cilat gravitojnë në këtë hapësirë ​​evropiane”, tha Kovaçevski.

Ndërkaq, presidenti kroat Zoran Millanoviq, në fjalën e tij theksoi se procesi integrues i vendeve të Ballkanit është proces i gjatë dhe “poshtërues”.

"Është një proces i gjatë, poshtërues. Proces për të cilin askush nuk është i arsyeshëm, askush me qëllim të mirë mund të japë një shpjegim të zellshëm. Merrni për shembull Shqipërinë. Ata janë me NATO-n, atë mbrojtëse sublime, gjithëpërfshirëse dhe të lartë të paqes dhe demokracisë, për 14 vjet tani… Si ndodhi që ai vend dështoi kaq mjerisht dhe nuk arriti të përmbushte kriteret për një kohë kaq të gjatë. Apo ndoshta nuk është vendi, vetë Shqipëria që dështoi, por procesi jashtëzakonisht i vështirë dhe i paparashikueshëm që ne i kemi imponuar asaj", tha Millanoviq.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, duke folur për efektet e luftës Rusi-Ukrainë, theksoi se ato variojnë nga kërcënimi i armëve bërthamore deri te siguria ushqimore.

“Kjo luftë ndikon drejtpërdrejt edhe në rajonin tonë, në Ballkanin Perëndimor, ku ne ende po përpiqemi të ndërtojmë një rajon ku do të mbizotërojë fryma e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit”, tha Begaj.

Çështja e Kosovës

Ndodhitë e fundit në Kosovë gjithashtu zunë një vend të rëndësishëm në diskutimet e forumit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në panelin e titulluar "Rrugët drejt progresit", ku ishte panelisti i vetëm, komentoi tensionet e fundit pas rrëmbimit të 3 policëve të Kosovës nga Serbia. Ai tha se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Kumanovës dhe NATO-ja duhet të reagojë për këtë.

"Fillimisht është e nevojshme që këta policë të kthehen, por në të njëjtën kohë duhet që bashkësia ndërkombëtare të dënojë ashpër dhe qartë agresionin e Serbisë ndaj Kosovës sepse me rrëmbimin e tre policëve tanë, Serbia ka shkelur edhe Nenin 4 të marrëveshjes ushtarako-teknike, Marrëveshjen e Kumanovës të 9 qershorit 1999. Mendoj se NATO-ja duhet të dënojë shkeljen e Marrëveshjes së Kumanovës nga Serbia me këtë akt agresioni ndaj Kosovës dhe të kërkojë kthimin e kësaj zone të sigurisë tokësore, e cila është 5 km në territorin e Serbisë", tha Kurti.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, theksoi se askush nuk mund të kontestojë pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Partnerët tanë evropianë dhe amerikanë po japin një kontribut të jashtëzakonshëm që palët të arrijnë një kompromis për normalizimin e marrëdhënieve e njohjen reciproke. Por, askush nuk mund ta vërë sot në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe Kosova është një realitet politik i pakthyeshëm”, theksoi Begaj.

Ai kërkoi gjithashtu nga liderët e Kosovës dhe të Serbisë të marrin përgjegjësi historike për të arritur marrëveshje, siç e bënë Maqedonia e Veriut dhe Greqia me Marrëveshjen e Prespës.

TRT Balkan