Në Serbi po zhvillohen sot zgjedhjet për këshillet kombëtare të pakicave. Gjithsej 19 pakica kombëtare do të zgjedhin anëtarët e këshillave në zgjedhje të drejtpërdrejta, ndërsa 4 pakica – goranët, maqedonasit, kroatët dhe malazezët do të zgjedhin përfaqësues nëpërmjet kuvendit zgjedhor.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të zgjedhin 15 anëtarët e Këshillit Kombëtar Shqiptar, ndërsa anëtarët e zgjedhur duhet të zgjedhin kryetarin e ri. Pesë lista shqiptare po garojnë në këto zgjedhje. Kryetar aktual i KKSh-së është Ragmi Mustafa.
Këshillet Kombëtare në Serbi mund të kenë nga 15 deri 35 anëtarë, varësisht nga numri i përgjithshëm i qytetarëve të secilës pakicë. Edhe pse shqiptarëve u takon një këshill më i madh, bojkotimi i referendumit të parafundit ka ndikuar që KKSh-ja të ketë vetëm 15 anëtarë. Kjo pritet të ndryshojë pas shpalljes së rezultateve të referendumit të këtij viti në Serbi.
Këshillet Kombëtare të pakicave janë krijuar për ruajtjen dhe avancimin e të drejtave të pakicave kombëtare në Serbi. Kompetencat e tyre kanë të bëjnë kryesisht me arsimin, kulturën dhe të drejtat kombëtare të pakicave. Këshillet Kombëtare mund të inicojnë hartimin ose ndryshimin e ligjeve, marrin pjesë në përpilimin e ligjeve që kanë të bëjnë me pakicat dhe ndjekin zbatimin e këtyre ligjeve.
Ata mund të themelojnë institucione arsimore e kulturore, zgjedhin festat kombëtare, por edhe propozojnë ose këshillohen lidhur me emërimet e kuadrove në disa funksione në nivel qendror dhe lokal, në fushat që prekin arsimin, kulturën dhe të drejtat kombëtare të pakicave.
Anëtarët e Këshilleve Kombëtare zgjidhen në zgjedhje të drejtpërdrejta, me sistemin proporcional të D’Hontit. Në mbledhjen e parë konstituive, anëtarët e rinj të Këshilleve Kombëtare zgjedhin kryetarin e Këshillit Kombëtar me shumicë votash.
Këshillet Kombëtare kanë mandat katërvjeçar.
Kryetari i Komisionit Republikan Zgjedhor, Vladimir Dimitrijeviq, ka sqaruar se 15 ditë para zgjedhjeve, Komisioni ka konstatuar se numri i votuesve është 454.807, por meqenëse në ndërkohë janë bërë shënime dhe fshirje të pjesëtarëve të pakicave kombëtare në një listë të veçantë, tani numri përfundimtar është - 456,199.