SPAK-u morri në pyetje për 2 orë ish kryeministrin Sali Berisha. / Photo: ATA

Ka përfunduar pas dy orësh marrja në pyetje e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK përballë dy prokurorëve Enkeleda Millonai dhe Arben Kraja, në kuadër të hetimit të nisur mbi procedurat e ndjekura për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Berisha, nën hetim për akuzën e korrupsionit, në një prononcim për mediet tha se prania në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion është për të shembur piramidën e mashtrimit të ndërtuar në dëm të tij.

“Sapo përfundoi seanca e takimit me anëtarët e grupit të strukturuar kriminal të SKAP-it të partisë, Altin Dumani në mungesë, Arben Kraja i pranishëm, Enkeleda Millonai e pranishme. Gjeta aty një grup të terrorizuar. Në një karrige bosh qëndronte McGonigal, në karrigen tjetër ishte ulur Edi Rama dhe unë”, tha Berisha për gazetarët dhe mbështetësit që e pritën të dalë nga seanca e marrjes në pyetje.

“I pyeta pse jetoni në këtë terror kaq të madh këtu ju”, u shpreh Berisha duke iu referuar masave të forta të sigurisë në institucion.

“Iu deklarova se Sali Berisha është këtu në përputhje me atë parim që ai beson, se çdo njeri që thirret për hetim nga organet e hetuesisë, duhet të paraqitet për t’u marrë në pyetje dhe ky ka qenë qëllimi më kryesor i amendamentit, ndryshimit të Kushtetutës në vitin 2012, në të cilin PD-ja, qeveria e saj bëri të mundur të hiqet çdo pengesë për hetimin e deputetëve”, tha Berisha.

“Së dyti, kam ardhur këtu, u thashë, që t’ua them në sy në emër të të gjithë demokratëve, popullit opozitar, të gjithë ato që në prej dy vitesh kam denoncuar Edi Ramën dhe ju si grupi i strukturuar i tij kriminal, si mercenarë që përdoreni prej tij”, tha Berisha.

Ai madje vazhdoi me deklaratën e tij kundër SPAK-ut duke thënë:

“Ju si grup i strukturuar kriminal jeni angazhuar në një betejë kundër pluralizmit politik në Shqipëri, kundër opozitës shqiptare dhe ju garantoj se do të merrni gjithë ndëshkimin e merituar”, tha Berisha.

TRT Balkan / agjencitë