Spiropali takon drejtuesë të institucioneve, diskutohet roli i Kuvendit./        Foto: Elisa Spiropali/FB

Drejtuesit e institucioneve të pavarura në Shqipëri zhvilluan takim me kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali ku diskutuan lidhur me rolin e institucioneve që ata drejtojnë.

Tomi Frashëri, kryetar i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në fjalën e tij u shpreh se, prej disa kohësh ka një vullnet shumë të fortë institucional për të garantuar atë që mund të quhet pavarësi funksionale, një pavarësi që është nxitur kryesisht përmes procesit të negociatave me BE-në.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, shprehu vullnetin e KLSH-së për të pasur një komunikim në vazhdimësi të plotë me të gjithë institucionet, duke filluar në radhë të parë me Kuvendin dhe me institucionet e tjerë të pavarura si dhe një komunikim sa më konkret me komisionet parlamentare.

Kryetarja e Autoritet të Medieve Audiovizive, Armela Krasniqi, në fjalën e saj u shpreh se, ky takim ka qenë i domosdoshëm.

“Ne institucionet e pavarura kemi pasur nevojë të diskutojmë dhe ndoshta këto tryeza duhet të jenë pak më periodike”, tha Krasniqi.

Ndërsa Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Ҫela, në fjalën e tij u shpreh se marrëdhëniet e institucioneve të drejtësisë me parlamentin janë mjaft pozitive dhe të frytshme.

“Problemet që lidhen me monitorimin nga ana e Kuvendit apo dhe me ato që ne e konsiderojmë raportimin që lidhet pa diskutim me llogaridhënien, transparencën, por dhe mënyrën sesi ne i shërbejmë interesit publik do të duhej që këto shqetësime të kishin ardhur nga vetë procesi që ne zhvillojmë në Komisionin e Ligjeve apo dhe në komunikime të tjera që ne kemi përgjatë vitit me Kuvendin e Shqipërisë”, tha Ҫela.

Çela kërkoi që hapat që do të ndërmerren në vijim nga Kuvendi të jenë mjaft të kujdesshme.

Ҫela u shpreh se, “është një proces delikat sepse sa kohë flitet për pavarësinë e institucioneve dhe për një kornizë kushtetuese dhe ligjore të miratuar vetëm pak vite më parë që është duke u testuar dhe që besoj deri tani ka qenë funksionale”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në fjalën e tij u shpreh se, “ne si institucione të pavarura jemi përpjekur vazhdimisht në funksion të detyrimeve ligjore dhe zbatimit të ligjit të realizojmë detyrat që ne kemi në Rezolutën e Kuvendit dhe komunikimi ka qenë bazuar kryesisht me Kuvendin në këto detyra të cilat janë realizuar”.

Ai shtoi se, një pjesë e rëndësishme ka qenë dhe sfidat që ka integrimi evropian ku Banka ka artikujt e veҫantë në të cilët ka qenë e përfshirë dhe ka shumë punë akoma për t’u bërë në këtë funksion.

Në konkluzionet e saj kryeparlamentarja Spiropali u shpreh se, Kuvendi ka marrë një rol të ri në raport me integrimit evropian edhe për shkak të ligjit, por edhe Këshilli Kombëtar i Integrimit ka një rol të rëndësishëm.

“Është me rëndësi që jo vetëm rezolutat e Kuvendit, por edhe rezolutat që nxjerrin institucionet e pavarura në raport me të tretë të shihen me prioritet dhe detyra jonë këtu në Kuvend edhe në kuadër të ngritjes së platformës së re ndërinstitucionale, por edhe sa i takon rolit që ka drejtoria brenda Kuvendit e monitorimit ne të bëjmë më të mirën në mënyrë që të gjitha ato rekomandime si të Kuvendit, përmes rezolutave ashtu dhe tuajat të jenë transparente për publikun dhe për institucionet dhe ne të mund të ndërveprojmë dhe të koordinojmë në mënyrë më të shpeshtë dhe më të efektshme”, tha kryetarja e Kuvendit shqiptar, Elisa Spiropali.

TRT Balkan / agjencitë