Në Spitalin Rajonal Memorial në Fier, i ndërtuar me mbështetjen financiare të Türkiyes, është realizuar me sukses për herë të parë në sistemin publik shëndetësor në Shqipëri, procedura urgjente e trombektomisë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Albana Koçiu, ka shkruar në rrjetet sociale se procedura në fjalë është realizuar falë bashkëpunimit të ekipit multidisiplinar turko-shqiptar, përfshirë dr. Umit Gorgulu, dr. Klaudio Disha, dr. Kjanda Elpenoria, dr. Muhammet Karaca dhe të bashkëpunimit me dr. Mesut Karatas, si dhe të teknikëve profesionistë, Tolga Kaya dhe Halil Ibrahim Ozkan.
"Kjo është një nga procedurat jetëshpëtuese, për të hequr mpiksjen e gjakut në arterien e trurit duke rivendosur rrjedhën e gjakut dhe minimizimin e dëmtimeve neurologjike”, ka shkruar Koçiu.
Koçiu ka theksuar se implementimi i autonomisë menaxheriale ka zgjeruar gamën e shërbimeve dhe, sipas saj, po garanton ofrimin e një shërbimi cilësor, nga kapacitetet më të mira profesionale dhe teknologjia e avancuar mjekësore.
Spitali Rajonal Memorial në Fier u hap për shërbim ndaj qytetarëve në fund të majit të vitit 2021 dhe në kuadër të një protokolli bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Türkiyes, spitali menaxhohet për një periudhë disavjeçare bashkërisht nga ekipet turke dhe shqiptare.
Spitali Memorial Rajonal në Fier është spitali i parë publik në Shqipëri që ka përfituar Kartën e Autonomisë Menaxheriale.