Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike të Shqipërisë (AKCESK) ka reaguar në lidhje me sulmin e fundit kibernetik ndaj Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT).
Në një deklaratë të publikuar në uebfaqen e tij, AKCESK thekson se INSTAT më datë 1 shkurt 2024 u përball me një sulm kibernetik që synonte infrastrukturën e tij teknologjike.
"Bazuar në informacionin e disponueshëm, aktorët që qëndrojnë pas këtij sulmi kibernetik janë identifikuar si ‘Homeland Justice’, një grup sulmi i sponsorizuar nga shteti iranian që ka kryer tashmë sulme të tjera në të kaluarën”, thuhet në deklaratë.
"Pas ndihmës së AKCESK-it në parandalimin e përshkallëzimit të sulmit, ekspertet tanë bënë një skanim total të gjithë serverëve për të identifikuar kërcënime të mundshme dhe për të rivendosur të dhënat në serverët e prekur. Në të njëjtën kohë, po punojmë edhe në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë të cilët kanë ofruar ndihmë për të adresuar këtë situatë të ndërlikuar", thuhet në deklaratë.
Më tej, theksohet se AKCESK-u ka koordinuar në kohë reale punën me të gjitha infrastrukturat e tjera kritike dhe të rëndësishme të vendit, duke monitoruar situatën dhe duke shkëmbyer detaje nga sulmi dhe shtohet se si rezultat i këtij bashkëpunimi të gjithanshëm është arritur të parandalohen sulme të ngjashme në infrastruktura kritike të vendit, në këtë vazhdë sulmesh kibernetike.
Theksohet se ky sulm i njohur si Wiper (Fshirës) kishte si qëllim fshirjen e të dhënave dhe prekjen e pajisjeve dhe se “virusi i shpërndarë ka infektuar 40 kompjuterë, nga ku ka fshirë 6 prej tyre".
Deklarata shton se sulmi kibernetik ndaj INSTAT-it thekson rëndësinë e një përgjigjeje proaktive dhe strategjike ndaj kërcënimeve të sofistikuara kibernetike.
Në fund të vitit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë njoftoi se është konstatuar një sulm kibernetik ndaj institucionit të Kuvendit, ndërsa u theksua se nuk kishte humbje të të dhënave nga sulmi kibernetik.
Objektiv i sulmeve kibernetike në muajit e fundit në Shqipëri ishin edhe institucione të tjera, si edhe një nga kompanitë e shërbimeve të telekomunikacionit.
Kujtojmë se në korrik dhe shtator të vitit 2022 autoritetet shqiptare konfirmuan se ndaj Shqipërisë është kryer një sulm masiv kibernetik. Sipas autoriteteve, "agresioni kibernetik ishte orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit".
Në shtator të vitit 2022, Shqipëria vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin si "kundërpërgjigje ndaj sulmit kibernetik ndaj infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Shqipërisë".