Ministriat e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Shqipërisë, Xhelal Sveçla dhe Taulant Balla, kanë vizituar pikën e përbashkët kufitare në Morinë ku kanë diskutuar për problemin e pritjes me të cilin po përballen diaspora gjatë udhëtimit në Kosovë.
Ministri Sveçla ka shprehur vullnetin politik që problematika e pritjes së mërgimtarëve të marrë fund sa më shpejt.
Ndërsa është zotuar se po punojnë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani në mes dy qeverive.
“Ne kemi vullnetin më të mirë të mundshëm që mërgatave tona t'u shërbejmë shpejt me efikasitet dhe po mendojmë disa variante se si të tejkalohen këto vështirësi, zgjidhje ka patjetër që ka vullnet të jashtëzakonshëm politik dhe unë besoj që shumë shpejt do të vërehen ndryshimet… Ka tashmë përmirësime po flasim për zgjidhje tash menjëherë“, theksoi ai.
Edhe Taulant Balla theksoi se duhet të gjendet një zgjidhje që koha e pritjes për mërgimtarët në pikën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë të shkurtohet.
“Mërgimtarët presin prej nesh që të bëjmë zgjidhje për këtë çështje dhe unë mendoj se ne do ta zgjidhim këtë çështje. Sa u përket çështjeve të tjera, kemi kohë plotë të flasim dhe natyrshëm ajo që u takon dy ministrave është të zbatojnë marrëveshjet që kryeministrat kanë firmosur”, theksoi ai.
Të dy ministrat derisa kanë folur para mediave për ketë çështje, ata nuk kanë dashur të komentojnë anulimin e mbledhjes së dy qeverive dhe raportin në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe atij të Shqipërisë Edi Rama.
Derisa nuk e ka komentuar anulimin e mbledhjes së dy qeverive, Balla ka thënë se ministrave u takojnë t’i zbatojnë marrëveshjet e firmosura nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Kosovës Albin Kurti.