Kuvendi i Shqipërisë u mblodh në seancë plenare, e cila u përfshi nga tensionet dhe debatet mes deputetëve.
Tensionet nisën pas njoftimit nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, për një projektligj për faljen e gjobave të ndërtimeve pa leje në fshatra, ndërkohë disa deputetë të opozitës bllokuan edhe foltoren.
Deputetët e partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) kundërshtuan mënyrën e përfshirjes në procedurë të përshpejtuar të projektligjit në falë.
Në seancën e sotme ishte parashikuar që të mbahej interpelancë me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, mbi sigurinë dhe ndihmën psiko-sociale në shkolla, ndërkohë interpelanca nuk u zhvillua për shkak të tensioneve.
Interpelanca ishte kërkuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, pas ngjarjes ku mbeti i vrarë një nxënës 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij, pranë ambienteve të një shkolle. Kjo ngjarje shkaktoi reagime në lidhje me sigurinë në shkolla dhe ambientet përreth tyre.
Gjatë seancës disa deputetë të opozitës mbanin në duar pankarta me mbishkrimet "Drejtësi për fëmijët", "Ogerta jep dorëheqje" dhe "Arsim i cunguar është i barabartë me diktaturë të garantuar".
Kryeparlamentarja Spiropali vendosi që çështjet e planifikuara në rendin e ditës në seancën e sotme të shqyrtohen në seancën e radhës.
Nga ana tjetër, gjatë seancës parlamentare një grup ish-minatorësh protestuan në ambientet e jashtme të sallës së seancave plenare, sipas tyre, për të kërkuar miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë të një ligji që të përcaktojë statusin e minatorit.