Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) i ka dhuruar Spitalit të Qytetit të Shkupit "8 Shtatori" pajisjen e quajtur Densitometria Kockore, me ç'rast është hapur edhe Qendra e Parë e Osteoporozës në spital.
Në aktivitet morën pjesë ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut Fatmir Mexhiti, kreu i TIKA-s për Ballkanin dhe Evropën Lindore Muhammed Ünal, koordinatori i TIKA-s për Shkupin Halim Ömer Söğüt si dhe drejtori i spitalit prof. dr. Hristijan Kostov.
Në deklaratën e tij për mediat, ministri Mexhiti tha se kjo ngjarje paraqet një hap përpara në përkushtimin e tyre për të ofruar kujdes shëndetësor gjithëpërfshirës për qytetarët.
Duke falënderuar TIKA-n për donacionin në fjalë, Mexhiti tha: "Me prezantimin e këtij osteodensitometri do të përmirësohen kushtet për diagnostikimin dhe menaxhimin e osteoporozës. Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballemi në kujdesin shëndetësor është sigurimi i aksesit në kohë në shërbimet për pacientët tanë. Osteodensitometri do të na lejojë të adresojmë drejtpërdrejt këtë sfidë".
Ünal rikujtoi se TIKA nga viti 2005 në Maqedoninë e Veriut ka zbatuar 1.200 projekte dhe aktivitete.
Sipas tij, nga këto projekte 30 janë në sektorin e shëndetësisë. "Kemi kënaqësinë t'i dhurojmë këtë pajisje një institucioni, spitali publik, e cila tashmë është në dispozicion të disa spitaleve private. Është e rëndësishme të rritet cilësia e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve dhe të përfitojnë më shumë qytetarë të Maqedonisë së Veriut", tha kreu i TIKA-s për Ballkanin dhe Evropën Lindore, Muhammed Ünal.
Ndërkaq, Kostov tha se qendra e hapur në kuadër të spitalit përbëhet nga një klinikë në të cilën ndodhet aparati i osteodensitometrit, i cili është më i nevojshëm për diagnostikimin e sëmundjes së osteoporozës.
"Në 50 vitet e ekzistencës së spitalit, kjo është hera e parë që spitali posedon një qendër të tillë për osteoporozë, pra një procedurë diagnostike për matjen e densitetit të indit kockor", tha Kostov duke falënderuar TIKA-n dhe Türkiyen për donacionin që shërben për përmirësimin e sistemit dhe aftësive shëndetësore në Maqedoninë e Veriut.