Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka realizuar shpërndarjen e pajisjeve dhe materialeve të ndryshme për dhjetëra bletarë në Shqipëri.
Ambasadori i Türkiyes, Tayyar Kağan Atay, gjatë fjalës për të pranishmit tha se populli turk do të jetë gjithmonë pranë popullit shqiptar.
"Dua të theksoj që populli turk ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë pranë popullit shqiptar, ashtu si dhe ju na jeni gjendur në ditët tona të vështira. Të urojmë dhe shpresojmë së bashku që të kemi më shumë ditë të lumtura dhe të gëzuara për të festuar së bashku", u shpreh ambasadori Atay.
Në një prononcim për Anadolu, shefi i Departamentit për Ballkanin dhe Evropën Lindore në TIKA, Muhammed Ünal Ünal, tha se TIKA i kushton rëndësi të veçantë zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë në Ballkan.
Ai theksoi se kryejnë projekte për bletarinë dhe prodhimin e mjaltit në kuadër të rritjes së efikasitetit të prodhimit për familjet që jetojnë në zonat rurale dhe sigurojnë jetesën nga bujqësia.
"Ne po punojmë në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Kombëtare të Bletarisë në Shqipëri për të ofruar pajisje plotësuese dhe komplete fillestare, veçanërisht trajnime për bletarinë dhe sëmundjet e bletëve në Shqipëri. Sot u mblodhëm për të dorëzuar pajisjet për 69 bletarët që jetojnë në bashkitë Pukë dhe Vau i Dejës, të Qarkut të Shkodrës. Me projektin synohet të lehtësohet rënia e prodhimit për shkak të ndryshimeve klimatike, duke rritur shumëllojshmërinë e produkteve", tha Ünal.
TIKA ka mbështetur 69 familje që merren me bletarinë me pajisje të ndryshme për koshere dhe materiale të tjera.