TIKA vijon mbështetjen për arsimin në Shqipëri / Photo: AA

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për sektorin e arsimit në Shqipëri, ku një tjetër projekt është ngritja e laboratorit të Kimi-Biologjisë dhe laboratorit të Gjuhëve të Huaja në Shkollën e Mesme të Bashkuar "Bide Sejko" në Konispol.

Në një njoftim nga TIKA thuhet se në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e shkollës ishin të pranishëm Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata, kryetari i Bashkisë së Konispolit, Ergest Dule, këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, Metin Bulut, kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, drejtues të shkollës, mësues dhe nxënës.

Gjatë fjalës në ceremoni, ambasadori Atay falënderoi kryebashkiakun Dule dhe drejtuesit e shkollës për mundësinë për bashkëpunimin mbi projektin në fjalë.

"Ambasadori Atay shprehu kënaqësinë që këta laboratorë, të cilët janë dhuratë e popullit turk për popullin shqiptar, kontribuojnë në jetën arsimore të nxënësve", thuhet në njoftim.

Duke folur në ceremoni, kryebashkiaku i Konispolit, Dule, i cili ka përfunduar shkollimin në këtë shkollë të mesme, ka falënderuar TIKA-n për kontributin e dhënë për shkollën. "Do të isha i lumtur të merrja pjesë së bashku në projekte të reja", është shprehur Dule.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Gurra, që ka ofruar mbështetje të ndryshme për shkollën, tha: “Falënderoj Türkiyen dhe TIKA-n për mbështetjen që na kanë dhënë”.

Gjatë ceremonisë, nxënësit recituan poezi turke dhe shqipe, ndërsa u shfaq edhe një program artistik me këngë dhe valle tradicionale.

TIKA ka kontribuuar në ngritjen e Laboratorit Biologjisë dhe Kimisë dhe Laboratorit të Gjuhëve të Huaja në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Bido Sejko” Konispol.

TIKA ka ofruar mbështetje dhe realizuar projekte në fusha të ndryshme në Shqipëri si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe mbështetje me ndihma të ndryshme për familjet në nevojë.

TRT Balkan / agjencitë