Nga sot, Tirana bëhet Presidenca e B40-ës, që është rrjeti më i madh i bashkive në rajonin tonë. Kryebashkiaku Erion Veliaj shprehet se këtë vit Tirana do të jetë shtëpia e madhe e të gjitha bashkive të Ballkanit.
“Vitin e parë ishte Istanbuli. Vitin e dytë, ishte Athina. Këtë vit Tirana do të jetë shtëpia e madhe e të gjitha bashkive të Ballkanit. Praktikisht është gjithë Europa Lindore, ose si themi ne, lagjja jonë”, deklaron ai.
Veliaj nënvizon se Tirana sot është kthyer në një model të transformimit, dhe se ka shumë kuriozitet mbi atë se si se si po funksionon përgatitja për punët e së ardhmes.
“Ka shumë kuriozitet nga bashkitë e tjera se si po funksionon përgatitja për punët e së ardhmes, gjithë këto aftësi digjitale, si funksionon Piramida, si funksionon TUMO dhe cilat janë punët e së ardhmes në të cilat po investohet Tirana? Shumë prej tyre janë kuriozë se si Tirana arrin të tërheqë kaq shumë turistë dhe arrin të krijojë hapësira ku turistët mund të kalojnë kohë, edhe të mësojnë, por sigurisht edhe të shpenzojnë dhe të prodhojnë ekonomi për qytetin”, thekson kryebashkiaku.
Pas Presidencës 12-mujore të B40-ës, Tirana do të marrë titullin Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.
“Titulli përmban dy qytete, një qytet në Mesdheun verior dhe një qytet tjetër në Mesdheun jugor. Do të jetë qyteti i Aleksandrisë së Egjiptit, qyteti ynë binjak. Le të themi, Mesdheu nuk po kalon kohët më të mira, me atë që po ndodh në Izrael e në rripin e Gazës, me shumë emigracion që vjen nga Afrika, por dhe brenda për brenda Europës, me shumë lëvizje populiste dhe fryma ksenofobe”, deklaroi Veliaj.
Megjithatë siç tha ai: “unë besoj që Tirana ka shumë për të ofruar, se çfarë është bashkëjetesa, se si ne mund të kemi fe të ndryshme, bindje të ndryshme, por jetojmë si një komunitet e si një familje e mbarë. Ndaj dhe mezi pres që t’ia dalim me sukses për B40-ën, ta ngremë akoma sa më lart emrin e Tiranës e pastaj të jemi një shtëpi e madhe e hapur për gjithë Mesdheun, përtej Ballkanit për Tiranën Kryeqytetin Mesdhetar të Kulturës”, përfundoi Veliaj.