Në Tiranë po organizohet Simpoziumi Ndërkombëtar për Mësimdhënien në Gjuhën Turke dhe Turkologjinë, me pjesëmarrjen e studiuesve nga disa vende, nga Qendra e Studimeve Ballkanike (BAM) që funksionon pranë Universitetit të Fondacionit Turk Maarif, Universiteti New York në Tiranë (UNYT).
Në ceremoninë e hapjes së simpoziumit të mbajtur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë, të institucioneve turke, studiues të turkologjisë, pedagogë, studentë dhe të ftuar të tjerë.
Ambasadori i Türkiye-s në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, ne hapje të simpoziumit tha se është një krenari e madhe për të gjithë që po mbahet një simpozium i tillë.
Ambasadori Atay theksoi se partneriteti historik i rrënjosur thellë mes dy vendeve, sipas tij i çon marrëdhëniet shumë përtej fqinjësisë.
"Mendoj dhe vërej se vlerat tona të përbashkëta kanë një ndikim të madh në formimin e këtyre marrëdhënieve të sinqerta mes njerëzve tanë. Në këtë kontekst ka një interes të madh në Shqipëri, veçanërisht ndaj turqishtes. Nuk ka mundësi që kjo trashëgimi e përbashkët, e cila pasqyrohet në gjuhët tona, të mos pasqyrohet në zemrat tona" theksoi Atay.
Ambasadori turk shtoi më tej se "Synimi ynë duhet të jetë rritja e interesit për turqishten dhe turkologjinë në zemrën tonë, në Ballkan, veçanërisht për popullin mik dhe vëlla shqiptar, si dhe plotësimi i nevojave akademike në kuadrin e rritjes së interesi".
Fondacioni Maarif kryen kërkime shkencore zhvilluese për metodat arsimore
Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Albana Tole, tha se në emër të ministrisë së që ajo përfaqëson përgëzon të gjithë organizatorët për këtë aktivitet sipas saj kaq të rëndësishëm.
"Në emër edhe të ministres (Evis Kushi) ju përgëzoj për aktivitetin e ndërmarrë dhe në të njëjtën kohë përgëzoj dhe Fondacionin Turk Maarif për kontributin e çmuar që jep në formim e të rinjve shqiptarë. Fondacioni Maarif kryen kërkime shkencore zhvilluese për metodat arsimore, përmbajtjen dhe kurrikulën si dhe mbështet studimet", theksoi Tole.
Nënkryetari i Fondacionit Turk Maarif, Emre Bilgili, tha se Fondacioni Maarif i cili u krijua në qershor 2016 për të ndarë dhe pasuruar përvojën e Türkiye-s në fushën e arsimit, aktualisht operon në 67 vende në 6 kontinente, nga Azia në Afrikë, nga Amerika e Veriut në Evropë dhe nga Amerika e Jugut në Australi.
"Sot po flasim për një zinxhir arsimor ndërkombëtar që arrin më shumë se 50 mijë studentë, është aktiv në të gjitha nivelet e arsimit. Falë aktiviteteve të tij, Fondacioni Turk Maarif, porta e Türkiye-s drejt botës në arsimin ndërkombëtar ka studiuar shumë mirë sistemet e arsimit ndërkombëtar që nga themelimi i tij dhe ka zhvilluar Programin Ndërkombëtar Maarif si një model unik", theksoi Bilgili.
Bilgili tha se Fondacioni Turk Maarif dhe Universiteti New York Tirana i vënë theks të madh turqishtes dhe turkologjisë në Ballkan.
Rektori i UNYT-së, Erkan Erdemir, u shpreh se UNYT i themeluar në vitin 2002, ka dallimin si universiteti privat i parë në Shqipëri.
"Në universitetin tonë studiojnë 670 studentë nga 17 vende të ndryshme. Universiteti ynë ka marrëveshje me 37 universitete nga 17 vende në kuadër të programeve të bashkëpunimit dhe shkëmbimit ndërkombëtar", tha Erdemir.
Organizimi i këtij simpoziumi është hapi i parë që mund të hedhë themelet e një bashkëpunimi afatgjatë
Drejtoresha e Qendrës së Studimeve Ballkanike pranë UNYT, Lindita Xhanari Latifi, tha se organizimi i Simpoziumit Ndërkombëtar për Mësimdhënien e Turqishtes dhe Studimeve Turkologjike në Ballkan, në bashkëpunim me disa institucione dhe universitete të tjera është i një rëndësie të veçantë.
"Organizimi i këtij simpoziumi është hapi i parë dhe besoj hapi i duhur, që mund të hedhë themelet e një bashkëpunimi afatgjatë në dobi të shkencës, në dobi të bashkëpunimit universitar, në dobi të afrimit mes vendeve tona. Marrëdhëniet historike, gjuhësore, letrare, kulturore, etnografike, fetare etj. që kanë ekzistuar e vazhdojnë të ekzistojnë mes vendeve të Ballkanit e Turqisë ndër shekuj, tashmë janë fakte të pamohueshme", u shpreh Latifi.
Kryetari i Këshillit Organizativ të Simpoziumit, İbrahim Gültekin, theksoi se gjatë periudhës osmane falë gati pesë qind viteve të unitetit politik, gjuha, besimi, kultura, folklori, letërsia, arti, antropologjia, u thelluan dhe vazhduan me vendosmëri. Ai shtoi se në fakt, këto të përbashkëta historike të gjithanshme, përbëjnë bazën e marrëdhënieve midis Republikës së Türkiye-s dhe vendeve të Ballkanit.
"Aktivitetet e mësimdhënies turke dhe turkologjike në Ballkan shërbejnë si urë lidhëse, në marrëdhëniet ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe Türkiye. Sepse edhe hulumtimi i politikës, kulturës dhe qytetërimit, për të kaluarën dhe atë të sotmen politike, ekonomike, arsimore, shkencës, kulturës dhe tjera, kanë një vend të rëndësishëm, dhe po aq domethënës në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe për studimet në fushën e mësimdhënies turke dhe turkologjisë. Për të thënë siç na ka treguar historia, Ballkani dhe Anadolli takohen në një terren të përbashkët të trashëgimisë kulturore", tha ai.
Dekanie Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, Esmeralda Kromidha tha se Universiteti i Tiranës ka bashkëpunime me universitete turke, duke shtuar se janë të hapur për bashkëpunime për të çuar përpara mësimdhënien e gjuhës turke në Shqipëri sipas praktikave më të mira.
"Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i Universitetit të Tiranës falë personelit të tij të kualifikuar në studime gjuhësore, letrare e përkthimore në disa gjuhë përfshirë dhe gjuhën turke është i hapur për bashkëpunim në projekte kërkimore, mësimore, studimeve kulturore, letrare e përkthimore në kudër të thirrjeve të ndryshme të projekteve ndërkombëtare dhe të mbështetura nga shtetet tona respektive", tha ajo.
Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe drejtues i Institucionit të Lartë të Kulturës, Gjuhës dhe Historisë Atatürk, Muhammet Hekimoğlu, përfaqësues nga universitet e ndryshme turke dhe studiues.
Më pas kryetari i Institutit të Gjuhës Turke, Gürer Gülsevin, prezantoi hulumtimin e tij me temë "Turqishtja, gjuha e zemrës në Ballkan", si dhe studiues të ndryshëm prezantuan hulumtimet e tyre në lidhje me temën e simpoziumit.
Qëllimi i simpoziumit (7-9 shtator) është të identifikojë problemet kryesore aktuale në fushën e mësimdhënies në gjuhën turke dhe turkologjisë në Ballkan, duke bashkuar shkencëtarët që punojnë në këtë drejtim për rajonin e Ballkanit, të ofrojë zgjidhje për këto probleme, të vlerësojë hulumtimet shkencore në këto fusha, të zbulojë tema ende të pazbuluara rreth letërsisë turke në Ballkan, të vlerësojë në mënyrë kritike të kaluarën dhe sotmen e kësaj fushe dhe të hedhë dritë mbi studimet e ardhshme.
Sipas organizatorëve, në simpozium planifikohet të debatohet rreth "studimeve të arsimimit dhe mësimdhënies në gjuhën turke", "studimeve rreth turkologjisë në Ballkan" si dhe "publikimet dhe letërsia turke në Ballkan".
8 Sht 2022
Tirana nikoqire e Simpoziumit Ndërkombëtar për Gjuhën Turke
Qëllimi i simpoziumit (7-9 shtator) është të identifikojë problemet kryesore aktuale në fushën e mësimdhënies në gjuhën turke dhe turkologjisë në Ballkan.
AA
Lajme të ngjashme
Vërshimet kaplojnë rajonin, viktima në Shqipëri e Serbi
Reshjet intensive të shiut ditëve të fundit në rajon shkaktuan vërshime në Shqipëri, Kosovë e Serbi. Në Shkodër të Shqipërisë raportohet për 2 viktima – babë e bir, ndërsa në Serbi një fëmijë dyvjeçar humbi jetën pasi ra në lumin e dalë nga shtrati.
Artikujt në këtë kategori
Fico-Vuçiq në Beograd: Sllovakia dhe Serbia mund të mbështeten mes vete
"Serbia me të vërtetë e meriton ndihmën e Bashkimit Evropian në këtë fushë sepse është kërkuese dhe e kushtueshme", tha Fico dhe shtoi se Serbia e ndihmoi dhe po e ndihmon BE-në në migrim në atë mënyrë që pak vende të tjera mund ta bënin.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore