Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se gjatë bisedës u diskutua për forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, si dhe për intensifikimin e bashkëpunimit politik, ekonomik, social dhe kulturor.
"Kreu i Shtetit vlerësoi rëndësinë e rolit të faktorit shqiptar si 'faktor shtetformues, paqedashës dhe i vendosur për integrimin Euroatlantik' për stabilitetin e Maqedonisë së Veriut, i cili shërben edhe si urë lidhëse mes dy vendeve tona. Shqiptarët kanë një rol të veçantë edhe për zhvillimin e qëndrueshëm në rajon", thuhet në njoftim.
Gjithashtu, theksohet se Begaj vlerësoi si shumë të rëndësishme dhe me një rol prioritar për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut ligjin për gjuhën dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në administratë.
“Shqipëria është e gatshme ta intensifikojmë bashkëpunimin mes dy vendeve për avancimin e gjithanshëm të marrëdhënieve, si dhe kontekstin evropianizues të zhvillimeve në mbarë rajonin”, ka theksuar Begaj, "duke garantuar një klimë miqësore dhe konstruktive, një model i fqinjësisë së mirë në rajon".
Në lidhje me marrëdhëniet ekonomike u theksua rëndësia e vazhdimit të projekteve të nisura, sipas njoftimit, ndër më të rëndësishmit, Korridori VIII.
Presidenti Begaj ka theksuar gjithashtu se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e integrimit evropian është një proces i rëndësishëm, sipas tij, pavarësisht veçimit të dy vendeve në këtë rrugëtim.
Kryeparalamentari Gashi zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u takua edhe me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali.