Tiranë, Prishtinë e Shkup, ku vizitohet më së shumti teatri?     Foto: Teatri Kombëtar

Dy vitet e pandemisë goditën rëndë edhe kulturën në rajon. Kufizimet e rrepta dhe karantina bënë që të mbyllen institucionet kulturore, duke ndaluar përkohësisht jo vetëm ngjarjet e planifikuara, por edhe përgatitjen e ngjarjeve të reja.

Megjithatë, me heqjen e kufizmeve, u kthyen edhe shfaqjet në teatro dhe ngjarjet e tjera kulturore. Me ta, u kthye edhe publiku. Megjithëse jo në nivelet e para pandemisë, sërish dhjetëra mijëra artdashës kanë marrë pjesë në shfaqjet kulturore në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Analiza e TRT Balkan tregon se Maqedonia e Veriut ka një mesatare më të mirë të vizitorëve në teatro, krahasuar me Kosovën dhe Shqipërinë.

Gjatë viteve 2021-2022, mesatarisht nga 152 spektatorë kanë marrë pjesë në ngjarjet kulturore në Maqedoninë e Veriut. Mesatarja në Kosovë është 110 spektatorë për ngjarje në vitin 2021, ndërsa në po të njëjtin vit mesatarja në Shqipëri është 74 spektatorë për ngjarje, një rënie dramatike e vizitueshmërisë nga një mesatare prej 117 vizitorëve sa kishte në vitin 2020.

Shpeshtohen shfaqjet, bien vizitat në Shqipëri

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave në Shqipëri, gjatë vitit 2021 janë realizuar gjithsej 512 shfaqje dhe premiera në institucionet kulturore të vendit. Këto ngjarje të kulturës kanë tërhequr gjithsej 38.091 vizitorë, pra rreth 74 vizitorë për ngjarje mesatarisht.

Më aktivë kanë qenë Teatri Kombëtar Eksperimental me 159 shfaqje dhe Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë me 146 shfaqje gjatë vitit 2021.

Teatri Kombëtar Eksperimental ka edhe vizitueshmërinë më të mirë, me rreth 101 vizitorë për shfaqje mesatarisht.

Rreth 400 ngjarje kulturore në Kosovë, dominon teatri

Gjatë vitit 2021 në Kosovë janë organizuar 393 ngjarje kulturore, të cilat kanë tërhequr gjithsej 43.570 shikues, me një mesatare prej 110 spektatorësh për ngjarje.

Sipas Agjencisë Kosovare të Statistikës, pjesën më të madhe të këtyre ngjarjeve e përbëjnë shfaqjet dhe premierat në teatër, gjithsej 239. Koncertet, baletet dhe shfaqjet e tjera publike përmbushin pjesën tjetër.

Më aktiv ka qenë Teatri Kombëtar i Kosovës me 108 shfaqje teatrale dhe reprizë, pastaj Teatri i Fëmijëve “Dodona” kishte 101 shfaqje teatrale dhe reprizë, ndërsa Teatri Oda kishte organizuar 75 shfaqje teatrale dhe repriza.

Maqedonia e Veriut me vizitueshmëri më të lartë

Me një mesatare prej 152 vizitorëve për shfaqje, Maqedonia e Veriut ka vizitueshmërinë më të lartë të ngjarjeve kulturore mes 3 shteteve të rajonit.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, gjatë periudhës 2021/2022, numri i përgjithshëm i shfaqjeve në teatrot profesionalë është rritur për rreth 169%, duke treguar rimëkëmbje pas pandemisë.

Është rritur edhe numri i shfaqjeve në teatrot për fëmijë dhe të rinj, edhe atë për 185%. Ndërsa shfaqjet në teatrot amatore janë rritur edhe më shumë, me gjithsej 200%.

TRT Balkan