Trajneri i kombëtares kroate të futbollit, Zlatko Daliq, ka bërë të ditur ndryshimet në përbërje në konferencën e fundit për shtyp në prag të ndeshjes së sotme kundër Shqipërisë në kuadër të xhiros së dytë të grupit B të EURO2024, duke theksuar se Shqipëria meriton respekt.
"Shqipëria nuk është e cilësisë së Spanjës, por ata meritojnë respekt. Ne presim një ndeshje të vështirë, një kundërshtar të motivuar. E dimë se cili është qëllimi ynë, do të jemi më sulmues, duhet të jemi më efikas dhe konkret. Do të ketë ndryshime në përbërje”, theksoi Daliq.
Pas disfatës hapëse, Kroacia është në një situatë të vështirë dhe një pengesë e re do të kërcënonte vendin e tyre në 1/8.
“E dinim që do të ishte një lojë e rëndësishme, për të kaluar grupin. Jemi pozitivë, nuk jemi të dekurajuar edhe pse jemi të vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhemi. Jemi përgatitur, bëmë gjithçka që duhej. Fatkeqësisht, Nikolla Vlashiq u largua, të gjithë të tjerët janë të shëndetshëm dhe mezi presin të fillojë ndeshja”, ka shtuar strategu kroat.
Ai shtoi se durimi do të jetë çelësi të mërkurën.
“Çelësi do të jetë durimi, nuk duhet të humbasim kokën dhe përqendrimin. Do të ishte mirë ta hapnim ndeshjen në mënyrën më të bukur, por nuk duhet të nxitojmë, po shkojmë për fitore, por edhe një pikë është e rëndësishme për ne. Durim, agresivitet, një qasje që do të na garantojë që të jemi konkurrues”, theksoi ai.