Medalja “Lindja e Shtetit” iu dorëzua Emre Bastug, drejtorit të TRT Balkan dhe zyrës përfaqësuese të Radio Televizionit Turk në Bosnjë e Hercegovinë, nga ambasadori i Shtetit të Palestinës në Mal të Zi, Rabii Alhantouli.
TRT Balkan, një platformë mediatike që raporton mbi ngjarjet rajonale dhe botërore nga këndvështrimi i gazetarisë investigative, ka raportuar çdo ditë për krimet izraelite, në formate të ndryshme digjitale që nga 7 tetori 2023, me kronika që shpjegojnë situatën aktuale dhe sfondin e gjenocidit izraelit.
Pas 7 tetorit, ekipi i TRT Balkan kreu vizita në terren në disa qytete në Bregun Perëndimor, duke raportuar mbi aspekte të ndryshme të jetës dhe sfidat me të cilat përballen palestinezët.
Në një kohë kur mediat kryesore dhe ato perëndimore raportojnë për gjenocidin izraelit në përputhje me interesat dhe politikat e tyre, kjo medalje iu dha TRT Balkan si një formë njohjeje për raportimin dhe hulumtimin e pavarur, të hapur dhe të vërtetë të medias mbi krimet izraelite dhe për kontribut në arritjen e qëllimit palestinez për pavarësi.
Gjatë bisedës me drejtorin e TRT Balkan, ambasadori palestinez në Mal të Zi theksoi se media është një faktor shumë i rëndësishëm në zbulimin dhe përcjelljen e së vërtetës dhe se në këtë kuptim roli i medias është shumë i rëndësishëm të edukojë dhe të njoftojë audiencën, veçanërisht kur raportohet për çështjen palestineze.
Alhantouli, i cili vjen nga Jenini, ka shërbyer si ambasador palestinez në Mal të Zi që nga viti 2016 dhe kjo është hera e parë në mandatin e tij që i jep këtë medalje një institucioni mediatik apo një individi.
Medalja e “Lindjes së Shtetit” lëshohet nga Presidenti i Palestinës, Mahmud Abbas, në të cilën shkruhet "Rruga drejt lirisë dhe pavarësisë". Në anën e pasme të medaljes është shkruar data 29 nëntor 2012 dhe fjalia "Lindja e Shtetit të Palestinës në OKB”, duke iu referuar datës kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me një shumicë dërrmuese prej 138 votash pro, njohu Palestinën si shtet vëzhgues që nuk ishte anëtar i Kombeve të Bashkuara.