Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në fjalimin e tij vjetor në Kuvend, tha se vendi i tij mund t’i ndiejë edhe efektet negative të luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.
Presidenti Pendarovski foli për ngjarjet e vitit të kaluar, si dhe për sfidat dhe prioritetet kryesore të vendit.
Duke folur për stabilitetin dhe sigurinë, ai iu referua luftës në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, si dhe efekteve negative të këtyre konflikteve.
"Në këtë kontekst të sigurisë, më lejoni t'i referohem shkurtimisht konfliktit më aktual botëror në këtë moment, midis Izraelit dhe Hamasit, ndaj të cilit ne si një vend i vogël sigurisht që nuk mund të ndikojmë, por mund t’i ndiejmë efektet negative të atij konflikti të përgjakshëm", tha Pendarovski.
Duke shpjeguar qëndrimin e Maqedonisë së Veriut, ai tha se elementi i parë është se "Hamasi është organizatë terroriste", duke bërë thirrje që shtetit këtë ta konfirmojë me vendim formal.
"Së dyti, Izraeli, sipas të gjitha akteve ndërkombëtare, ka të drejtën e vetëmbrojtjes. Së treti, sipas po atyre dokumenteve ndërkombëtare, duhet të ketë parasysh jo terroristët e Hamasit, por të drejtat e njeriut të palestinezëve. Në këtë kuptim ushtria izraelite duhet të përdorë proporcionalisht forcë vdekjeprurëse dhe të mbrojë jetën e civilëve, grave dhe fëmijëve pa përjashtim", tha Pendarovski, duke shtuar:
"Ajo që është më e rëndësishmja nga pikëpamja e interesave tona kombëtare nevojitet një sjellje e kujdesshme dhe e përgjegjshme e të gjitha subjekteve politike që kjo përplasje të mos thellojë ndarjet në shoqërinë tonë multietnike, por edhe shumëfetare. Fatkeqësisht, efektet fillestare të një gjuhe të tillë urrejtjeje tashmë janë të dukshme në rrjetet sociale te ne".
"Entuziazmi i qytetarëve për anëtarësim në Union po bie në mënyrë dramatike"
Presidenti Pendarovski theksoi se shteti duhet të qëndrojë në rrugën e integrimeve evropiane, pavarësisht se kush është në pushtet pas zgjedhjeve të majit 2024.
Sipas tij, ngadalësimi eventual osr ndalimi i plotë i integrimeve evropiane nuk do të reflektojë mirë në asnjë sferë të jetës shoqërore.
"Entuziazmi i qytetarëve për anëtarësim në Union po bie në mënyrë dramatike, jemi në një pikë kritike dhe ky është shansi i fundit për të ruajtur mbështetjen e shumicës për negociatat, të cilat gjithmonë kanë efekt neutralizues ndaj strukturave që duan të minojnë demokracinë", tha Pendarovski.
Ai kritikoi edhe vendimet e Këshillit Evropian që "konfirmuan skenarin pesimist për Ballkanin Perëndimor".
"Është e padiskutueshme që nuk i kemi bërë detyrat tona sa u përket detyrimeve të marra, por është e vështirë të gjesh logjikë në vendimet e fundit të Brukselit, të cilat praktikisht e anashkaluan plotësisht rajonin, gjë që sigurisht do të kontribuojë edhe më tej në rënien e atraktivitetit të projektit të quajtur Evropa e Bashkuar", tha Pendarovski.
Ndër të tjerash, ai foli për nevojën e një lufte më efektive kundër korrupsionit të nivelit të lartë, parandalimin e gjuhës së urrejtjes dhe tendencave të këqija demografike.