Tuneli i nevojshëm për rrugën Prizren-Tetovë do të ndërtohet me bashkëfinancim nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Marrëveshja u nënshkrua sot mes ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës dhe Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë së Veriut.
Ministri i Mjedisit Liburn Aliu tha se kjo rrugë e rëndësishme nuk e lidh vetëm Prizrenin me Tetovën, por edhe korridorin 8 me autostradën “Ibrahim Rugova” që e lidh Prishtinën me Durrësin e Tiranën duke krijuar mundësi për kyçje nëpër korridore dhe më gjerë në nivel të rajonit.
Ndërsa zëvendësministri i Transportit dhe i Lidhjeve i Maqedonisë së Veriut, Bekim Rexhepi, kujtoi se kësaj marrëveshjeje i kanë paraprirë një sërë takimesh të grupeve të punës nga të dyja vendet duke mbërritur kështu në zgjidhjen më optimale për projektin e ndërtimit të tunelit 6,4 km të gjatë.
Financimi i këtij projekti, përfshirë ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren, do të ndahet proporcionalisht në përputhje me gjatësinë e tij në secilën anë, ndërsa projektimi i secilës pjesë para dhe pas tunelit do të jetë i financuar nga palët përkatëse.
Ndërkaq, si lidhje e dy rrugëve në pikën më të afërt mes tyre, përveç se i ofron dy qytetet dhe dy shtetet, gjithashtu mundëson krijimin e një korridori rrugor të ri me ndikim në skenën rajonale të Ballkanit, duke i lidhur jo vetëm Prizrenin me Tetovën, por edhe Prishtinën me Durrësin dhe Tiranën, përmes autostradës "Ibrahim Rugova".
Rruga Prizren-Tetovë u soll në qendër të vëmendjes në gusht 2023, kur kryeministri Kurti shprehu gatishmëri për ndërtimin e saj, teksa për këtë aks rrugor qeveritë e dy vendeve ishin dakorduar në një mbledhje të përbashkët në vitin 2021.
Rruga aktuale Prizren-Tetovë, e cila kalon nëpër Prevallë dhe Glloboçicë, është e gjatë 113 kilometra dhe merr mbi dy orë e gjysmë udhëtim.