Vazhdojnë protestat kundër korrupsionit në Bashkinë e Tiranës. / Foto: AA

Në Shqipëri vazhdojnë protestat për t'i "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", që organizohen nga partitë opozitare dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Protesta e radhës u organizua para selisë së Bashkisë së Tiranës, nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Partia e Lirisë (PL), si dhe aktivistë, me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe sipas organizatorëve për hetimin e rasteve të korrupsionit.

Ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, në fjalën e tij në protestë u shpreh se tentativat për ta zhbërë protestën do të rezultojnë nul.

"Ne këtu do të jemi, do ta ngremë zërin dhe do të sjellim fakte të reja", theksoi Këlliçi, duke paralajmëruar vijimin e protestave.

Sekretari i përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, në fjalën e tij në protestë u shpreh se duhet "rezistencë dhe qëndresë".

Fjalime mbajtën edhe përfaqësues të tjerë të partive politike, aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë. Në fjalët e tyre aktivistët theksuan se do t'i vazhdojnë protestat pasi sipas tyre besojnë në të drejtën.

Gjatë protestës u angazhuan dhjetëra forca policore, ndërkohë nga protestuesit u bllokua edhe qarkullimi i automjeteve.

Protestat

Në Shqipëri janë organizuar për muaj me radhë protesta për t'i "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërsa disa protesta janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.

Protestat kundër kryebashkiakut Veliaj nisën në fillim të prillit 2024 dhe rifilluan sërish.

Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të vitit të kaluar të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive".

TRT Balkan / agjencitë