Në Shqipëri vazhdojnë protestat për t'i "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", organizuar nga partitë opozitare dhe me mbështetjen e aktivistëve të shoqërisë civile.
Protesta e sotme është organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Partia e Lirisë (PL), si dhe aktivistë para selisë së Bashkisë së Tiranës, me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Zv.kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësuesi i PD-së, Dorjan Teliti, u shpreh se qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë meritojnë trajtim dinjitoz, kushtetues dhe njerëzor.
“Abuzuesit do t’i vendosim para drejtësisë, ndonëse kjo drejtësi që kemi ne sot drejtësi nuk po bën. Por, nuk ka drejtësi më të forta se drejtësia qytetare, nuk ka drejtësi më të fortë se drejtësia popullore", tha Teleiti.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë të Lirisë dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës,Tedi Blushi, tha se edhe sot protestojnë si çdo javë dhe shtoi se është koha të organizohen më fort. Ai theksoi se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) "nuk bën drejtësi dhe se drejtësinë do ta vendosë populli".
Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan dhjetëra forca policore, ndërkohë nuk u shënuan përplasje me policinë. Në Shqipëri janë organizuar për muaj me radhë protesta për t'i "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërsa disa protesta janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.
Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të vitit 2024 të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive".