Ndonëse procesi i votimit për zgjedhjet lokale në Shqipëri ka përfunduar që dje në orën 19:00, ende vazhdon numërimi i votave.
Deri tani nuk ka rezultate zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të Shqipërisë, mirëpo eksponentë të lartë të Partisë Socialiste me në krye Edi Ramën veçmë kanë paralajmëruar fitore bindëse në pjesën dërrmuese të qyteteve (bashkive).
Nga rezultatet e para të KQZ-së mund të vërehet se kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, me shumë gjasë do të vazhdojë të mbetet në duar të socialistëve, gjegjësisht nën udhëheqjen e Erion Veliajt.
Sipas shifrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kandidati socialist, kryebashkiaku aktual i Tiranës Erion Veliaj ka marrë 50.627 vota (52,98 për qind) duke lënë pas kandidatin e “Bashkë Fitojmë” Belind Këlliçi i cili deri më tani ka marrë 34.353 vota (35,95 për qind).
Pas tyre pason kandidati i Partisë Demokratike Roland Bejko me 4.275 vota (4.47%) dhe të tjerë.
Një tjetër fitore të cilën e paralajmërojnë rezultatet preliminare të këtyre zgjedhjeve për Partinë Socialiste është në qytetin e Shkodrës, që tradicionalisht udhëhiqej nga Partia Demokratike.
Sipas rezultateve të deritanishme të publikuara nga KQZ-ja, kryeson Benet Beci i PS-së me 14.009 vota ose me 60,04 për qind të votave.
Me një diferencë prej 4.687 mijë votash më pak, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Bardh Spahia ka marrë besimin e 39,96 % të votuesve me gjithsej 3.758 vota.
Aktualisht në Shkodër janë numëruar 105 qendra votimi nga 247 gjithsej.
Ndërkaq sipas projeksionit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Partia Socialiste pritet të udhëheq me 50 bashki, ndërsa 11 të tjera siç thotë ai janë diskutabile.
Kujtojmë se në disa qendra votimi në qytete të ndryshme të vendit votimi filloi me vonesë për shkak të problemeve me pajisjet e identifikimit elektronik.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, të drejtën e votës e kishin 3.650.550 shtetas shqiptarë.
Për zgjedhjet vendore janë regjistruar si subjekte zgjedhore 44 parti politike, nga të cilat 38 parti jashtë koalicioneve, 6 parti të grupuara në dy koalicione dhe 12 kandidatë të pavarur.
Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri u zhvilluan për të zgjedhur 61 kryetarë të bashkive dhe 1.603 anëtarë të këshillave bashkiakë në gjithë vendin. Kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë për një periudhë 4-vjeçare.
Procesi zgjedhor është vëzhguar nga misioni i OSBE/ODIHR-it, ambasada të ndryshme, si dhe disa organizata ndërkombëtare dhe kombëtare.