Gjashtë milardë euro është ndihma financiare që do të marrin vendet e Ballkanit Perëndimor nga Bashkimi Evropian në kuadër të strategjisë së BE-së për të mbështetur zhvillimin ekonomik, stabilitetin dhe integrimin e këtyre vendeve në Evropë.
Shqipëria do të marrë një ndihmë financiare prej 922 milionë eurosh, ndërsa Kosova do të përfitojë 882 milionë euro. Maqedonia e Veriut do të marrë një shumë prej 807 milionë eurosh. Në anën tjetër, Serbia do të marrë një mbështetje më të madhe prej 1,58 miliardë eurosh, ndërsa Mali i Zi do të përfitojë 383,5 milionë euro. Bosnja e Hercegovina do të marrë 969 milionë euro, por është e pasigurt nëse do t’i marrë paratë në të njëjtën kohë, pasi vendi vonoi miratimin e Agjendës së Reformës.
Qëllimi është që në thelb t'u mundësohet vendeve në rajon të përshpejtojnë reformat dhe investimet për të zmadhuar shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre.
Ky Plan parasheh deri më 2 miliardë euro në formë të granteve dhe 4 miliardë në formë të kreditëve për 6 partnerët nga Ballkani Perendimor deri më vitin 2027.
Por, shfrytëzimi i këtyre mjeteve ka një kusht. Ato vendet që do t'i shtyjnë përpara reformat e nevojshme dhe të kërkuara nga BE-ja do të marrin fondet, ndërsa ata që stagnojnë në reforma nuk do të mund t’i marrin ato fonde.
Çështja që shtrohet tani është se sa këto mjete do të përfundojnë për qëllimet e lartcekura.
Gjatë viteve të fundit ka pasur një sërë denoncimesh për keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian.
Denoncimet kanë përfshirë çështje si shpërdorimi i fondeve për infrastrukturën, programet sociale dhe zhvillimin rural, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe llogaridhënien në përdorimin e fondeve.