Vendet me më së shumti shkurorëzime në rajon.     /Foto: AA / Photo: TRT Balkan

Martesa është akti me të cilin çiftet bashkëshortore e kurrorëzojnë dashurinë e tyre në formë zyrtare. Megjithatë, divorci vazhdon të qëndrojë fenomen aktual në shoqërinë tonë, ndonëse me përmasa pak më të ulëta nga viti në vit.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës thonë se gjatë vitit 2022 janë regjistruar 2.088 raste të shkurorëzimeve, e që është numër më i vogël krahasuar me vitin 2021 ku numri i shkurorëzimeve ka qenë 2.160.

Nga ana tjetër, sipas informatave të fundit të Agjencisë së Statistikave në Shqipëri, të cilat i referohen vitit 2021, thuhet se ka pasur 3.113 shkurorëzime, që janë gati gjysma e zgjidhjeve të martesës për dallim nga viti 2019, para pandemisë.

Ulje në RMV, BeH dhe Mal të Zi

Për dallim nga viti 2021, ku kishte 1.964 shkurorëzime, gjatë vitit 2022 në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 1.613 shkurrorëzime.

Ulje të numrit të shkurorëzimeve kemi hasur edhe në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) dhe Mal të Zi.

Në BeH gjatë vitit 2022 kishim një ndryshim drastik të situatës për dallim nga një vit më parë, gjegjësisht afro 900 shkurorëzime më pak, nga 2.871 në 1.999.

Ndërkaq, në Mal të Zi nga 768 shkurorëzime të vitit 2021, në vitin 2022 janë regjistruar gjithsej 690.

Serbia më së shumti

Nga të gjitha vendet e rajonit, vetëm në Serbi është regjistruar rritje e numrit të shkurorëzimeve nga viti në vit.

Në vitin 2021 kishim 9.790 shkurorëzime, ndërsa në vitin 2022 u shkurorëzuan 9.813 çifte bashkëshortore.

Duke iu referuar këtyre shifrave del në pah se Serbia ka numrin më të madh të shkurorëzimeve nga të gjitha vendet e rajonit.

TRT Balkan