Vendosen çmimet mesatare të shitjes së banesave në Shqipëri         / Foto: Atsh

Në Shqipëri, Enti Kombëtar i Banesave ka përcaktuar çmimet mesatare të shitjes së banesave në treg, sipas zonave kadastrale për njësitë e vetëqeverisjes vendore. Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare.

Çmimet e përcaktuara nga EKB-ja do të shërbejnë si referencë për të vlerësuar nëse vendoset të blihen banesa apo të ndërtohen banesa sociale në njësitë vendore, si dhe për përcaktimin e kufirit të dhënies së kredive të zbutura nga shteti.

Referuar tabelës së publikuar, në Tiranë çmimi mesatar i shitjes në tregun e lirë është 1.266 euro (124.316 lekë) për metër katror. Bashkia e Tiranës është e ndarë në disa zona kadastrale për të cilat janë përcaktuar çmimet mesatare. Në njësinë administrative Farkë, çmimi mesatar është përcaktuar 1597 euro (157 mijë lekë) për metër katror, në Dajt përcaktohet 838 euro (82.289 lekë) për metër katror.

Në bashkinë e Durrësit, çmimi mesatar i shitjes përllogaritet 724 euro (71.157 lekë) për metër katror. Në Ishëm çmimi mesatar përcaktohet 946 euro (93 mijë lekë) për metër katror.

Në bashkinë Vlorë, çmimi mesatar është përllogaritur 699 euro (68.680 lekë) për metër katror. Në Dhërmi çmimi mesatar është përcaktuar 1898 euro (186.400 lekë) për metër katror.

Në Sarandë çmimi mesatar përcaktohet 896 euro(88.050) lekë për metër katror.

Në bashkinë e Fierit, çmimi mesatar i shitjes është 563 euro (55.375 lekë) për metër katror.

TRT Balkan / agjencitë