Shqipëria u përfshi në ditët e fundit nga reshje shiu të dendura, që shkaktuan edhe përmbytje në disa qarqe të vendit dhe viktima, ndërsa nga vërshimi i ujërave u përmbyt edhe Xhamia e Plumbit në Shkodër.
Situata më problematike ishte në Qarkun e Shkodrës, ku edhe pse ka një normalizim të situatës ende ka prezencë të ujit në disa lagje, në sipërfaqe bujqësore dhe në një nga monumentet e kulturës, siç është Xhamia e Plumbit.
Xhamia e Plumbit nën ujë
Përmbytjet në Shkodër shkaktuan edhe ndërprerjen e punimeve në kantierin e ngritur për restaurimin e Xhamisë së Plumbit, punime që filluan në shtator të këtij viti, pasi ujërat përmbytën xhaminë dhe ambientin përreth saj.
Ndërkohë xhamia do të restaurohet me mbështetjen financiare të Türkiye-s, pas marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve gjatë vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Ankara në janar të vitit 2021.
Aktualisht xhamia është e përmbytur, ndërkohë të mbuluara nga uji janë edhe pajisjet e kantierit të restaurimit.
Xhamia ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushati në vitin 1773-1774, e cila mbart vlera të rralla arkitekturore në vend, do të restaurohet me mbështetjen financiare të Drejtorë së Përgjithshme të Vakëfeve të Türkiye-s.
Shteti t’i japë rrugëzgjidhje ujit
Një prej banorëve të Qarkut të Shkodrës që u prek nga përmbytjet është Oltjon Dinlla, të cilit iu përmbyt banesa dhe ai aktualisht jeton në një ambient tjetër të vendosur nga institucionet shtetërore.
Për AA ai shprehet se kërkojnë nga shteti ndihmë dhe që të dëmshpërblehen për dëmet. "Filluan reshjet e shiut dhe uji ka hyrë punë minutash brenda. Shtëpia u mbush me ujë plot", tregon Dinlla.
Një tjetër banor i prekur nga përmbytjet në Shkodër është edhe Mehdi Myftia i cili për AA shprehet se akoma uji është brenda ambienteve të banesës së tij.
"Akoma uji është brenda. Nga shteti kërkojmë të paktën t’i japë rrugëzgjidhje ujit, të bëjë një ngritje të dheut, mos të vijnë ujërat kështu", shprehet Myftia.
Dhjetëra familje që u evakuuan pas përmbytjeve në Qarkun e Shkodrës kanë filluar të rikthehen në shtëpitë e tyre, ndërkohë vazhdojë punimet për riparimet e dëmeve.
Situata nga moti i keq në Shqipëri
Shqipëria u përfshi nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe stuhi në ditët e fundit, ku si pasojë dy persona humbën jetën në Qarkun e Shkodrës. Reshjet e dendura kanë përfshirë disa qarqe të vendit, ndërkohë situata më problematike ishte në Qarkun e Shkodrës dhe Lezhës.
Sipas autoriteteve, ka një përmirësim dhe normalizim të situatës së krijuar si pasojë e reshjeve në vend.
Sipas një njoftimi të publikuar sot nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, situata në qarqet më të prekura nga reshjet intensive të ditëve të fundit, ka një përmirësim të dukshëm. Ministria thekson se ndërprerja e reshjeve në orët e fundit ka sjellë tërheqje të ujit në sipërfaqet e përmbytura duke reduktuar ndjeshëm edhe sipërfaqen e tokës nën ujë.
Sipas këtij institucioni, në bashkitë Shkodër dhe Lezhë, sipërfaqe toke me prezencë uji ka mbetur 3.480 hektarë. Në Shkodër aktualisht janë edhe 7 familje të evakuuara.
Sipas ministrisë, prej datës 20 nëntor, kur nisën reshjet intensive janë aktivizuar në terren qindra forca të ushtrisë, të policisë, forca vullnetare dhe ekipe mjekësore.
Ndryshe, vërshimet e fundit në Shqipëri shkaktuan edhe dy viktima, gjegjësisht nga përmbytjet humbën jetën babë e bir.