Vihet gurthemeli i qendrës kulturore në komunën turke të Mamushës. / Foto: AA

Me një ceremoni u vu gurthemeli i qendrës kulturore që do të ndërtohet në Mamushë, komunën e vetme turke në Kosovë.

Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të kësaj qendre morën pjesë Ambasadori i Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, Konsulli i Përgjithshëm i Prizrenit Celal Doğan, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) njëherësh ministër i Zhvillimit Rajonal Fikrim Damka, deputetët e KDTP-së Fidan Brina Jılta dhe Enis Kervan, kryetari i Mamushës, Abdülhadi Krasnic, përfaqësues të institucioneve turke në vend dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij këtu, ambasadori Angılı theksoi se qendra që do të ndërtohet është e rëndësishme për Mamushën.

"Mamusha ka një vend të veçantë në zemrat tona, në zemër të Türkiyes, si e vetmja komunë turke këtu. Besoj se ju keni vendosur shembull për Kosovën në bujqësinë e deritanishme, si dhe tash e tutje ju do të jepni shembull edhe me këtë lloj projekte", tha ai.

Ministri Damka po ashtu theksoi se do të vazhdojnë mbështetjen për zhvillimin e Mamushës në të gjitha fushat.

Kryetari Krasnic ka falënderuar institucionet që e kanë përkrahur realizimin e projektit dhe ka uruar që puna e qendrës, ku banorët e Mamushës do të mund të kryejnë aktivitetet e tyre kulturore dhe të përfitojnë nga biblioteka e saj, të përfundojë sa më shpejt.

Qendra kulturore, e cila financohet nga institucionet e Kosovës dhe pritet të kushtojë afërsisht 2 milionë euro, pritet të përfundojë dhe të vihet në shërbim brenda dy vjetësh.

Qendra, e cila do të shërbejë për ta mbajtur gjallë kulturën turke, do të përfshijë një bibliotekë dhe zona në shërbim të kulturës dhe artit.

TRT Balkan / agjencitë