Mbahet edicioni i 15-të i Festivalit të Domates në Mamushë të Kosovës / Foto: AA

Në Komunën e Mamushës është mbajtur edicioni i 15-të i Festivalit të Domates.

Pjesëmarrës në këtë festival ishin kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit Hajrulla Çeku dhe ministri i Zhvillimit Rajonal Fikrim Damka, Ambasadori i Türkiyes Sabri Tunç Angılı, kryetari i Komunës së Mamushës Abdulhadi Krasniç, ndërsa mysafir këtu ishte edhe kryetari i Komunës së Ankarasë Mansur Yavas, kryetarë komunash, deputetë nga Kosova dhe Türkiye, përfaqësues të organizatave turke që punojnë në vend dhe shumë të ftuar të tjerë.

Në fjalimin e tij në oborrin e shkollës fillore "Mamuşa Atatürk", kryeministri Kurti tha se fermerët punëtorë të Mamushës e bënë të njohur vendin dhe prodhimet e tyre jashtë Kosovës me përkushtimin ndaj bujqësisë, veçanërisht domateve.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës nga viti 2021 deri në vitin 2024 ka dhënë më shumë se 10 milionë euro mbështetje për fermerët e Mamushës dhe do të vazhdojnë të rrisin mbështetjen. "Fermerët dhe organizimi juaj është shembull që duhet ndjekur anekënd Kosovës, sepse përveç që është vlerë për ju, është për ne, për mbarë Kosovën", theksoi Kurti.

Ambasadori Angılı e nisi fjalën e tij duke përcjellë përshëndetjet e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe ministrit të Punëve të Jashtme Hakan Fidan. Angılı tha se Mamusha, e cila prodhon prodhime bujqësore për eksport, ia shton fuqinë Kosovës.

"Komuniteti turk i Kosovës, i cili është element thelbësor i Republikës së Kosovës, i shton vlerë Kosovës duke e dëshmuar veten në çdo aspekt të jetës. Kjo është një shkak i madh lumturie për Republikën e Türkiyes. Komuniteti turk është ndoshta nyja më e fortë në lidhjen tonë me Republikën motër të Kosovës", tha ai.

Kryetari i Ankarasë, Yavaş, deklaroi se do të vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e vendit simotër, Kosovës.

"Ju jeni flamuri i Türkiyes në Kosovë. Ju jeni urat e gjalla të miqësisë historike turko-kosovare. Ju jeni amaneti i Sulltan Muratit për Kosovën dhe për ne. Ju jeni heronj që hapët shtëpitë tuaja për mijëra vëllezër tanë kosovarë gjatë Luftës së Kosovës dhe dëshmuat mikpritjen turke dhe qëndrimin tuaj kundër shtypjes. Për këtë arsye, ne do të jemi gjithmonë krah për krah me ju", tha ai.

Në fjalën e tij, ministri Damka nënvizoi se populli i Mamushës me punën e tij është shembull në vend dhe rajon dhe tha se "mundi juaj u bënë krenaria e turqizmit në Kosovë".

Kryetari i Komunës së Mamushës Krasniqi theksoi se në kuadër të festivalit sivjet do të dhurojnë mjete dhe pajisje të ndryshme bujqësore në vlerë prej 250 mijë euro për më shumë se 200 fermerë. Pas fjalimeve, festivali u mbyll me një shfaqje me valle popullore dhe një koncert të artistëve vokalë.

Festivali i Domates, i planifikuar të mbahet vitin e kaluar në Mamushë, u anulua për shkak të tërmeteve të 6 shkurtit në Türkiye ndërsa buxheti vjetor i festivalit u dërgua në Türkiye.

AA