Vuçiq me Lajçakun: I nevojshëm formimi i ASK-së në Kosovë / Photo: Miroslav Lajčák / X

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se në një bisedë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, në Beograd, ai “tregoi domosdoshmërinë e formimit të Asociacionit të të Komunave Serbe dhe mbajtjen urgjente të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës dhe kërkoi mbështetjen e BE-së për ndalimin e mëtejshëm të një provokimi nga ana e Prishtinës”.

Vuçiq ka deklaruar në rrjetet sociale se ka ripërsëritur gatishmërinë e Serbisë për të përmbushur obligimet e saj duke respektuar Kushtetutën e Serbisë dhe Kartën e OKB-së.

Ai e vlerësoi bisedën me Lajçakun si konstruktiv dhe shumë të drejtë.

“E theksova domosdoshmërinë e formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, mbajtjen më urgjente të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës dhe kërkova mbështetjen e BE-së për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina. E ritheksova gatishmërinë e Serbisë të përmbushë detyrimet e saj, në përputhje me marrëveshjet juridike ndërkombëtare në respekt të Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe Kartës së OKB-së”, tha Vuçiq.

Drejtori i Zyrës për Kosovë të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, tha se, gjatë takimit me Lajçakun, Vuçiq theksoi pozitën shumë të vështirë të popullit serb dhe domosdoshmërinë që Prishtina të ndalojë së zbatuari lëvizjet përshkallëzuese që po shkatërrojnë jetën e serbëve.

Petkoviq në konferencën për media tha se Vuçiq ka theksuar domosdoshmërinë e formimit të Asociacionit së Komunave Serbe.

Petkoviq tha gjithashtu se takimi ka zgjatur më shumë se një orë, se nuk ka qenë i lehtë dhe se Vuçiq në mënyrë të qartë dhe argumentuese ka nënvizuar se cilat janë problemet reale në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve.

Në bisedën e tij me Lajçakun, Vuçiq insistoi veçanërisht se kryeministri i Kosovës Albin Kurti duhet të ndalojë provokimet dhe vendimet si heqja e dinarit, “që synon të dëbojë popullin serb jo vetëm në veri, por edhe në jug të Ibrit dhe t'i japë fund dialogut”.

“Paqja është ajo që na nevojitet dëshpërimisht, për dallim nga Kurti, i cili me lëvizjet dhe vendimet e tij po bën gjithçka për të kërcënuar atë paqe dhe për të dëbuar popullin serb nga Kosova. Ne do të luftojmë në mënyrë demokratike për të shpëtuar popullin tonë”, ka theksuar Petkoviq.

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se Lajçak do të jetë nesër në Prishtinë dhe se kjo është pjesë e "kontaktit dhe ndërveprimit të tij të vazhdueshëm me partnerët për t'i ndihmuar ata të avancojnë në dialog".

TRT Balkan / agjencitë